Një histori e ngjashme me ato të telenovelave është publikuar këtë të hënë nga disa media italiane, ku protagonist është një shqiptar 45-vjeç, i cili ndodhet në gjyq, pasi ka rrahur të dashurin e ish-gruas së tij italiane, në bashkëpunim me djalin e saj.
Siç raportojnë mediat si “ilrestodelcarlino”, “newsrimini”, etj, ngjarjet e dhunshme janë zhvilluar në vitin 2016, në Rimini, por shqiptari dhe djali i ish-gruas së tij, një italian 25 vjeç, janë ende sot në proces gjyqësor dhe mbrohen nga avokati Piero Venturi, pasi kanë rrahur një shtetas siçilian 53 vjeç.
Më konkretisht mësohet se gruaja italiane, që sot është 49 vjeçe, para disa vitesh mbeti e ve dhe u martua me shqiptarin, me të cilin pati një lidhje të shkurtër. Menjëherë pas ndarjes me shqiptarin, ajo takon një ish-të dashurin e saj, siçilian, me të cilin kishte pasur një lidhje para 15 vitesh dhe nisin të frekuentohen.
Por mesa duket ky zhvillim i ri në jetën e ish-gruas, nuk i ka pëlqyer aspak shqiptarit, i cili në bashkëpunim me djalin e saj nga martesa e parë, i shkuan në banesë, duke hyrë nga dritarja, pasi çifti i sapo rilidhur, nuk e hapi derën. Të dy e kanë keqtrajtuar fizikisht shtetasin italian, duke e detyruar të largohej gjysmëlakuriq nga shtëpia. Ai kërkoi ndihmë nga fqinjët, të cilët lajmëruan ambulancën dhe më pasi i denoncoi të dy në polici, ndërsa së fundmi kanë pasur seancën e radhës të gjykimit.