Opinione Historia dhe atdhetaria përzgjodhën Ismail Qemalin

Historia dhe atdhetaria përzgjodhën Ismail Qemalin

Nga Rexhep Qosja

Gëzuar 28 Nëntori.

Sa shumë i rëndësishëm, sa shumë i merituar, sa shumë i madh ai u bë me veprën më të madhe historike: me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.

Për t’u bërë çka do të bëhet në historinë e popullit të vet e kishin përgatitur atdhetaria dhe historia. Ai ishte i urtë dhe i dinjitetshëm, i vendosur dhe zemërmadh, i guximshëm dhe i matur, i parimshëm e largpamës. Gjykimi i qartë, sjellja e avashtë dhe gojëtaria përshtypjebërëse e bënin sipëror dhe magjepsës personalitetin e tij. Me veprimin e tij të njësuar ai ishte zotëruesi i situatave dhe zotëria i kohës.

Në sajë të virtyteve të tilla ai do të bëhet prijësi i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në çastet më vendimtare të saj.

Mendja e qartë, përvoja e madhe politike dhe vendosmëria burrërore do t’i bëjnë të mundshme të përzgjedhë ditën dhe të përzgjedhë vendin për shpalljen e veprës së tij madhore: për shpalljen e pavarësisë së Shqiprisë.

Dhe kjo ditë ishte 28 Nëntori 1912.

Dhe ky vend ishte Vlora heroike.

Në këtë ditë dhe në këtë vend ai mblodhi delegatët prej të gjitha krahinave shqiptare, të cilët e shpallën Shqipërinë “më vehte, të lirë, dhe të mosvarme” në të gjitha trojet shqiptare. Por Konferenca e ambasadorëve në Londër në vitin 1913 ia shkoqi Shqipërisë së 28 nëntorit 1912 më shumë se gjysmëm e trojeve dhe më shumë se gjysmën e popullsisë shqiptare. Fqinjët ballkanikë dhe fuqitë e mëdha, megjithatë, s’arritën t’ia marrin popullit shqiptar idenë e shqiptarëve të bashkuar e cila historinë shqiptare e ka lëvizur gjatë gjithë shekullit XX dhe po vazhdon ta lëvizë edhe sot, në shekullin XXI.

Fryti i kësaj ideje që e ka lëvizur historinë shqiptare do të jetë Ushtria Çlirimtare e Kosovës e cila me luftën e saj heroike dhe me përkrahjen e SHBA-ve e të Forcave të NATO-s, më në fund, do ta çlirojë Kosovën prej pushtimit të Serbisë e të Jugosllavisë.

Pasardhësit e Ismail Qemalit, të Luigj Gurakuqit, të Isa Boletinit, të Hasan Prishtinës e të delegatëve të tjerë të Kuvendit të Vlorës kanë sot dy shtete “më vehte, të lira e të mosvarme” – Shqipërinë dhe Kosovën. Ideja e tyre shtetërore kombëtare kështu është bërë pjesërisht. Por në qoftë se historia u ka dhënë të drejtë dhe ideja e tyre kombëtare – Shqipëria etnike sot është bërë vetëm pjesërisht, mund të shpresohet se ajo pashmangshëm do të bëhet plotësisht.

Ismail Qemali në historinë e popullit shqiptar mbetet përgjithmonë i shënuar si Shtetari, që themeloi Shqipërinë shtetërore me kufijt që ajo ka sot; si Profeti i madh i Shqipërisë etnike, çfarë do të jetë ajo nesër; si Demokrati liberal, që e filloi qeverisjen demokratike në jetën kombëtare dhe si Njeriu, që dhuntinë e tij politike e përdori në mënyrat më të denja për punët më të rëndësishme të popullit të vet – domethënë mbetet i shënuar si Personaliteti, që ka kryer mision prijës e parathënës në këtë histori. Është e kuptueshme pse pikërisht populli, njerëzit e thjeshtë me të cilët është përnjësuar ai, e kanë vlerësuar aq bukur këtë mision kur e kanë kënduar në vargjet

O ti je Smail Qemali

Pas teje vjen historia.

***

NATYRA DHE HISTORIA PËRZGJODHËN VLORËN

Vlora është qyteti i Bukurisë dhe Vlora është qyteti i Lavdisë shqiptare.

Dhe, këtë Bukuri që bashkon det dhe tokë Vlorës ia ka dhuruar Gjeografia.

Dhe, këtë Lavdi, që bashkon të shkuarën dhe të përtashmen, Vlorës ia ka dhuruar Historia.

Gjeografia dhe Historia, ndër të gjitha qytetet shqiptare, e përzgjodhën Vlorën që të jetë Mendja dhe Zemra Bashkuese shqiptare më 28 nëntor 1912.

Gjeografia e Historia e përzgjodhën Vlorën që pikërisht ajo të bëhet edhe çka u bë në historinë e re të popullit shqiptar edhe për disa arsye: pozita gjeografike e bënte më të përshtatshme për ngjarjen e madhe që do të ndodhë aty; visoret e saj, kështjella e saj dhe bregdeti i saj e bënin natyrshëm më të mbrojtur prej rreziqeve që mund t’i kanoseshin ato ditë; traditat e burrërisë dhe trimërisë së banorëve të saj e të rrethinave të saj ishin premtimi më i sigurt për mbrojtjen e personaliteteve historike që do të vijnë aty dhe të veprës së madhe historike që do të krijojnë ata.

Por, Gjeografia dhe Historia e përzgjodhën Vlorën për të kryer misionin historik që do të kryejë dhe për një arsye tjetër të madhe: edhe për arsye se ajo ishte qyteti ku kishte lindur Burrështeti i saj i madh: Ismail Qemali.

E vlonjati Ismail Qemali ishte ai të cilin nëna natyrë e kishte përgatitur për t’u bërë çka do të bëhet ai në historinë e popullit shqiptar: ai ishte prijësi i lindur për kohën në të cilën do të merreshin vendimet historike për fatin e popullit shqiptar.

Ai ishte i parimshëm dhe i dinjitetshëm, i vendosur dhe zemërgjerë, i guximshëm dhe i matur, largpamës dhe parashikues. Gjykimi i tij i qartë, sjellja e tij e avashtë, gojëtaria e tij përshtypjebërëse e bënin sipëror dhe magjepsës personalitetin e tij. Me veprimet e tij të njësuara dhe me mendimet e tij parathënëse ai ishte zotëruesi i situatave dhe, siç është thënë bukur për të, zotëria i kohës.

Me të gjitha këto virtyte ai ishte prijësi i mezipritur, që po i dhurohej popullit shqiptar. Në sajë të cilësive të sipërthëna ai do të arrijë të bëhet prijësi i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në çastet më vendimtare të saj.

Dhe, pikërisht ky prijës i madh do të jetë në gjendje që më 28 nëntor 1912, në Vlorë, të mbledhë rilindës e atdhetarë të tjerë, mendimet dhe veprimet e të cilëve përcaktoheshin prej vlerash morale e shpirtërore e jo prej leverdish lëndore.

Atë ditë në Vlorë u bashkuan ata mendimet dhe veprimet e të cilëve prëcaktoheshin prej idealit të madh: që ta bëjnë Shqipërinë të lirë dhe që ta bëjnë Shqiptarin zot në vendin e vet.

Atë  ditë, në Vlorë, këta idealistë ngritën flamurin kuq e zi, me shqiponjën dykrenore, si simbolin e Shqipërisë së rilindur pas aq shekujsh.

Dhe, atë ditë, në Vlorë, këta idealistë mbajtën Kuvendin me delegatë të ftuar prej të gjitha krahinave shqiptare.

Atë Kuvend, në të cilin një numër i delegatëve nuk arriti kurrë për shkak të luftërave që po bëheshin në Ballkan dhe  në tokat shqiptare, e drejtoi vonjati i madh, Ismail Qemali.

Dhe, në atë Kuvend u shpall Shqipëria ”më vehte, e lirë dhe e mosvarme”, e përbërë prej të gjitha trojeve në të cilat shqiptarët ishin popullsi e vetme a shumicë e madhe etnike, që brezat e ardhshëm gjithnjë do ta quajnë Shqipëria etnike.

Në atë Kuvend u krijua Qeveria e parë e Shqipërisë së pavarur, e përbërë prej ministrash të cilët mbi pasurinë, mbi mirëqenien dhe mbi jetën e tyre kishin vënë Atdheun dhe Popullin e tyre.

Dhe, i parë i këtyre ministrave u zgjodh vlonjati i madh, Ismail Qemali.

Duke filluar prej asaj Ditë të madhe, më e madhja në historinë e tyre, shqiptarët mblidhen në Vlorë dhe e kremtojnë 28 nëntorin 1912.

Tani, me 28 nëntor, shqiptarët nuk mblidhen dhe nuk kremtojnë si republikanë, socialistë a demokratë; as si toskë a gegë; as si katolikë, ortodoksë a myslimanë; në Vlorë, për kujtim dhe nderim të 28 nëntorit, shqiptarët mblidhen dhe kremtojnë vetëm si shqiptarë. Si shqiptarë të bashkuar, që pashmangshëm do ta bëjnë Shqipërinë e Bashkuar – Shqipërinë etnike.

Me idenë e bashkimit në mendje dhe në zemër ata e përmbushin amanetin e paraardhësve të lavdishëm që gjithë ç’patën e flijuan për pavarësinë e Shqipërisë.

Kështu ishin 28 Nëntorët e shkuar.

Kështu do të jenë 28 Nëntorët e ardhshëm.

Kështu do të jetë gjithmonë.

Kështu do të jetë derisa të jetë Vlora e Vlora do të jetë Gjithmonë.

Këtë rol të madh, historik kombëtar, Vlorës nuk do të mund t’ia marrë kush kurrë. Kurrë. Sepse atë rol të madh, historik kombëtar, Vlorës ia kanë dhuruar Historia dhe Gjeografia. Sepse atë rol të madh, historik kombëtar të Vlorës e kanë në mendje dhe e kanë në zemër të gjithë atdhetarët shqiparë, siç e kishte poeti i saj, i cili në emrin e tyre këndonte:

Vlorën edhe Vlorën thelp e kam në zemër.

Ditën e kam Dritë, natën e kam Ëndërr.