Administrata e Presidentit Biden, propozoi këto ditë një rregull të ri për të mbrojtur statusin e imigrantëve pa dokumenta të sjellë në Shtetet e Bashkuara kur ishin fëmijë, që aktualisht parashikohet nga programi DACA. Ky hap ishte në përgjigje të një vendimi të një gjykatësi kundër këtij programi dhe në kushtet kur shpresat për një ligj për këtë çështje u zbehën këtë muaj. Një përfituese e programit DACA me prindër shqiptarë ndau historinë e saj me Zërin e Amerikës. Në një bisedë me kolegen Keida Kostreci në Nju Jork, Daiana Lilo tregon se çfarë do të thotë të rritesh nën hijen e pasigurisë se në çdo moment mund ta humbësh të drejtën e qëndrimit në një vend që për të, është i vetmi që ka njohur.
Daiana Lilo, një studente në Universitetin e Harvardit, nuk mban mend shtëpi tjetër veçse në Shtetet e Bashkuara. Ajo ka lindur në Greqi nga prindër shqiptarë të cilët bashkë me të erdhën në Amerikë kur ajo ishte e vogël.
“Prindërit e mi vendosën të vijnë në Shtetet e Bashkuara për një jetë më të mirë për mua, një jetë më të mirë për ta. Kështu, në vitin 2001, kur isha 18 muajsh, emigrova në Shtetet e Bashkuara dhe isha një emigrante pa dokumente”, thotë ajo në një intervistë për Zërin e Amerikës.
Prindërit e saj janë ende pa dokumenta, dy motrat e saj që kanë lindur në SHBA janë shtetase, ndërsa Daiana është një ndër mbi 800 mijë të rinjtë që si ajo, janë sjellë në Shtetet e Bashkuara kur ishin fëmijë dhe tani janë të mbrojtur nga programi DACA.
Daiana e kaloi fëmijërinë në Waterbury të shtetit Connecticut dhe e kuptoi që e vogël se nuk ishte si të gjithë shoqet dhe shokët e saj në shkollë.
“Kisha shumë ankth e si mund të mos kisha? Isha një fëmijë që rritesha me vetëdijen që disa njerëz nuk më donin këtu, disa njerëz nuk mendonin se më takonte të isha këtu, por kjo është shtëpia e vetme që kam njohur ndonjëherë. Unë gjithmonë jam ndjerë se ky është vendi që më takon.”
Daiana u përball edhe me një sfidë tjetër që nuk e kishte parashikuar. Ajo nuk ka shtetësinë shqiptare, apo greke, kështuqë ajo është edhe një nga 200 mijë vetët në Shtetet e Bashkuara që janë pa asnjë shtetësi.
“Kurrë nuk kam vizituar vendin tim, Shqipërinë. Përveç kësaj as prindërit e mi nuk kanë mundur të shkojnë. Ndjej një dëshirë të madhe për të shkuar”, thotë ajo.
Në vitin 2012 Presidenti i atëhershëm demokrat, Barack Obama nxori urdhrin ekzekutiv për mbrojtjen e të rinjve si Daiana, e cila aplikoi për këtë status.
“Më në fund fillova të ndjehesha si një adoleshente normale, sepse isha 15-16 vjeç në atë kohë dhe fillova të ndihesha si bashkëmoshatarët e mi. Ndjeva se mund të bëja të njëjtat gjëra dhe ndjesia që pata ishte se nuk kisha nevojë më të jetoja në këtë frikë, se mund të vazhdoja jetën time normalisht”, thotë ajo.
Por urdhri ekzekutiv i para 10 viteve nuk është një garanci e përhershme, siç e vërtetoi vendimi i një gjykatësi në Teksas në verë të këtij viti, i cili arriti në përfundimin se programi DACA ishte i paligjshëm. Megjithëse vendimi i tij ndalonte aplikime të reja dhe nuk prekte ata që e gëzonin këtë status, ishte një kujtesë për Daianën dhe të tjerë si ajo, për brishtësinë e situatës së tyre.
“E thënë thjesht unë nuk ndjehem kurrë e sigurt. Ky vend është vendi ku jam rritur, është i vetmi vend që njoh, që kam njohur gjatë gjithë jetës sime. Po, unë jam shqiptare, flas shqip në shtëpi, por ndihem amerikane. Kam jetuar këtu, kam shkuar në shkollë këtu, flas anglisht me bashkëmoshatarët e mi”, thotë ajo.
Olsa Alikaj-Cano, një avokate imigracioni që ka zyrën e vet ligjore në Hjuston të Teksasit, thotë për Zërin e Amerikës, se një nga problemet kryesore është se DACA mund të hiqet në çdo kohë, duke përmendur si shembull përpjekjet e administratës së ish-presidentit Trump për ta shfuqizuar programin.
“Pas tre vitesh nëse vjen një President tjetër, mund ta heqë DACA-n si program dhe të gjithë studentët, apo ata që punojnë këtu, doktorët, shkencëtarët, çdo njeri që është këtu me DACA do të jetë në të njëjtin status që kishte para se të kishte programin DACA”, thotë ajo.
Avokatja Alikaj-Cano që përballet shpesh në punën e saj me aplikantë dhe përfitues të DACA-s, thotë se nuk mund të dënohen fëmijët për veprimet e prindërve.
“Ata kanë ardhur në Amerikë në moshë të vogël, shumica pa dijeninë e tyre, disa siç thashë pa qenë as një javë dhe nuk kanë pasur asnjë të drejtë të zgjidhnin mënyrën për të ardhur në Amerikë”.
Megjithëse nevoja për rrugë drejt shtetësisë për këtë grup është një nga pikat e rralla të imigracionit, ku në përgjithësi demokratët dhe republikanët janë dakord, statusi i tyre shpesh mbetet peng i luftës së ashpër politike për imigracionin në përgjithësi mes demokratëve dhe republikanëve.
Zonja Alikaj-Cano, që është edhe Nënkryetare e Shoqates Amerikane te Avokateve te Emigracionit, për Rajonin e Teksasit, thotë se këto mosmarrëveshje duhet të lihen mënjanë për këtë grup.
“Kanë 10 vjet që presin. Kanë të drejtë të kërkojnë një zgjidhje të përhershme. Të gjithë janë dakord që këto janë grupe që e meritojnë dhe të dyja palët, të dyja partitë duket sikur janë dakord”.
Përpjekja e fundit e demokratëve këtë muaj për ta përfshirë statusin e ëndërrimtarëve në një paketë prej 3.5 trilionë dollarësh për programe sociale dhe të klimës, që shmangte bllokimet e republikanëve, dështoi kur këshilltarja e pavarur e Senatit, e cila interpreton procedurat parlamentare, tha se çështja e imigracionit nuk mund të ishte pjesë e kësaj pakete.
Daiana thotë se mosveprimi është një problem me të cilin ajo është përballur për të 21 vitet e jetës së saj.
“Unë nuk dua që njerëzit ta konsiderojnë këtë si çështje politike. Unë nuk jam një temë politike për t’u diskutuar. Unë jam person, jam njeri, kjo është çështje e të drejtave të njeriut”.
Dhe ajo nxit ata që janë kundër ta shohin këtë çështje pikërisht nga prizmi njerëzor.
“Çfarë do të bënit për fëmijën tuaj, çfarë do të bënit? Do të shkonit në fund të botës për fëmijën tuaj nëse do të ishit prind, do të donit t’i jepnit gjithçka. Kjo është pikërisht ajo që prindërit e mi bënë për mua”.
Ajo u atribuon prindërve dhe optimizmit të saj edhe dëshirën për të ecur përpara. Daiana është në vitin e fundit në Universitetin e Harvardit ku studion për shkenca politike.
“Gjatë gjithë jetës sime kam qenë e motivuar, doja të çlirohesha dhe mendova se shkolla do ta bënte këtë për mua, arsimi, është një gjë shumë shqiptare, sepse prindërit shqiptarë natyrisht janë shumë të fokusuar tek shkollimi”.
Ajo thotë se megjithëse statusi i saj mund ta ketë penguar për shumë gjëra, ajo e sheh si një nxitje për të bërë zgjedhje të caktuara.
“Në të ardhmen do të doja të studioja për drejtësi dhe të bëhesha avokate, avokate imigracioni që të mund të ndihmoj njerëzit që janë në situatën time. Thjesht dua t’ia shpërblej kujtdo që më ka ndihmuar.”/VOA