Kulturë Historia e Fierit, (dhe Apolonia, aty ku perandori August mësoi filozofinë)

Historia e Fierit, (dhe Apolonia, aty ku perandori August mësoi filozofinë)

Origjina e emrit: Ekzistojnë dy hipoteza:

E para, paraqet variantin e emrit Fier që vjen nga italishtja FIERA, d.m.th treg ose panair.

E dyta, bazohet tek toponimi i rajonit. Duke qenë se shumica e tyre janë me origjinë bimore, ajo thekson se emri i qytetit të Fierit rrjedh nga bima e fierit që rritej me shumicë në këtë vend.

Themeluar: Në vitin 558 p.e.s në një kodër pranë detit dhe afër grykëderdhjes së lumit Aoos (Vjosa) nga kolonë të ardhur nga Korinti e Korfuzi.

Objektet kryesore: Qyteti antik i Apolonisë, Muri rrethues, Biblioteka, Odeoni, Portiku dhe Kisha Bizantine e shekullit të XIII.

Karakteristika: Ndodhet në rrënojat e qytetit antik të Apolonisë.

Apolonia

Apolonia është qytet antik ndër më të mëdhenjtë në pellgun e Adriatikut. Gërmadhat e qytetit janë zbuluar në fillim të shek.XIX, në kodrën midis fshatrave Pojan e Kryegjatë në perëndim të Fierit. U themelua në fillim të shek.VI p.e.s. Apolonia ishte një qytet-shtet skllavopronar. Në shek.V p.e.s. u bë qendër e zhvilluar ekonomike. Në këtë kohë qyteti preu monedhat e veta, të cilat u përhapën deri në krahinat më të largëta të Ballkanit, zgjeroi marrëdhëniet me botën ilire dhe me Atikën, e më vonë edhe me botën italike. Zhvillimin më të madh Apolonia e njohu në shek.IV-III p.e.s., kur qyteti u shtri në të gjithë faqen perëndimore të kodrës deri në këmbët e saj.

Ciceroni pat folur për rëndësinë e qytetit të Apollonisë, e Oktavian Augusti shkollohej pikërisht këtu përpara se të bëhej Perandori i parë i Romës.

Në periudhën ‘45-‘90, Fieri kthehet në një nga qendrat më të rëndësishme industriale të vendit.