Si në çdo vend të Shqipërisë, edhe në rrethin e Tepelenës, përveç studiove fotografike që u hapën në pronësi të shtetit të sistemit të kaluar, në treg shiteshin edhe aparate fotografike, të cilat u blenë dhe përdoreshin nga banorët e trevave të ndryshme të rrethit tonë.
Këto studio, që ndryshme quheshin “Reparte fotografike”, u hapën në qytetet Tepelenë, Memaliaj dhe nëpër disa fshatra, të cilat ishin në varësi të Ndërmarrjes së Shërbimeve Komunale të këtyre qyteteve.
Të gjithë këta fotografë profesionistë, punonin për nevojat e shërbimeve sociale, ku fiksonin me aparatet e tyre kujtime të ndryshme si ato; të zhvillimit në fusha të ndryshme, inaugurimeve, aktiviteteve politike, kulturore, sportive, ditëve festive si ato lokale dhe kombëtare, pa harruar edhe festat dhe gëzimet familjare, si; ditëlindjet, fejesat, dasmat dhe fiksimin e kujtimeve të lira nëpër lulishte, plazhe, …etj.
Të gjitha fotografitë në atë kohë, ishin me filma bardhë e zi, të cilat laheshin në repartin e Tepelenës dhe atë të Memaliajt. Në emrat e fotografëve, që do të sjellim në vazhdim, të cilët kanë punuar përgjatë sistemit të kaluar deri në vitet e para të trazicionit, ka edhe nga ata që kanë punuar kameraman.
Tepelenasit që kanë ushtruar këto profesionin në rrethin e Tepelenës, para vitit 1990 e deri më sot (2023), janë: Në qytetin e Tepelenës kanë punuar fotografët; Mete Shupo Qendro, është fotograf i parë nga Progonati. Hamit Luto Selimi është fotograf i dytë nga Bença, i cili ka punuar në vitet 1960-70. Thodhori Bruzho është me origjinë nga Dropulli. Krenar Shehu ka punuar kameraman dhe vazhdon të punojë për TVSH-në. Sonja Mamaqi ka punuar kameramane profesioniste në RTSH-ë dhe për arsye të luftës së klasave që zhvillonte ai sistem, u përndoq së bashku me familjen e saj dhe u vendosën me banim në qytetin e Tepelenës. Të tjerë fotografë dhe kameraman që kanë punuar në këtë qytet, janë: Resul Mita, Arben Ali Likometi, Kristaq Gjokthomi, Alem Ziflaj, Perlat Meçe, Kristo Mërtiri, Mete Qëndro, Gëzim Redhaj, Fatmir Ruçi (kameraman) dhe Myzafer Zifla (karmeraman).
Në qytetin e Memaliajt, kanë punuar në profesionin e fotografit, çifti, Xhemo Gogo (Hoxha) dhe Servet Hoxha.
Në lokalitetin e Buzit, ka punuar fotograf, Ferrik Kreci me origjinë nga Revishti, i cili ka punuar në të njëjtën kohë, edhe në profesionin e berberit në fshatin Buzë dhe të gjithë zonës. Mbahet mend nga vendasit, se ka patur edhe një aparat fotografik në pronësi të tij.
Në fshatin Krahës, në profesionin e fotografit, ka punuar, Qemal Resuli.
Arben Çelaj është tepelenas, i cili ka punuar fotograf në vitet 1980, në Ndërmarrjen Komunale të Tiranës dhe në vitet 1991- 1993, ka punuar fotograf në Agjencinë Telegrafike Shqiptare,
Aparate fotografike personale, të cilat i ushtronin para viteve 1990, për shërbimet e tyre familjare dhe shoqërore, kanë patur këta: Gani Gjosha nga Memaliaj (1956) bënte fotografi për memaliotët dhe banorët e zonës përreth dhe i lante ato, në shtëpinë e tij.
Koçi Sotiri nga Tepelena, kishte një aparat fotografik të markës “Zorki-5”, qysh nga viti 1960.
Sigurim Ruçi nga Tepelena, ka patur një aparat fotografik, të cilin e përdorte në vitet 1966.
Xhemil Xhafo Çela, nga Tepelena ka patur një laborator të thjesht në shtëpin e tij, për larje filmash dhe stampim fotografish, për nevoja familjare e shoqërore.
Gjylani Koçi (Tepelenë), Esheref Gjonça (Tepelenë), Eduart Gjonça (Tepelenë), Vasil Banga (Tepelenë), Rait Hita (Tepelenë), i cili ka fiksuar shumë kujtime të ekipit të alpinizmit të Minatorit, duke qenë edhe trajner i këtij ekipi.
Në Memaliaj, aparat fotografik kanë patur edhe Sefi Pazaj me djalin e tij Fatmir Pazaj, Jonuz Hamzai, Idriz Arapi, motrat Emblika Bega dhe Adelina Bega, Idriz Arapi dhe Përparim Haxhiraj, i cili ka patur një aparat fotografik gjermano-lindor të markës “Beret”.
Me ndryshimin e sistemeve, pas vitit 1990, u lejua ushtrimi i lirë i këtij profesioni, duke hapur studio private, por edhe individualisht. Emrat e tyre janë: Çifti Ilir dhe Monika Hysi (Kalemi), janë të parët që hapën një studio fotografike në qytetin e Tepelenës. Njazi Sako, është pionieri i parë kameramanë në Memaliaj që ka punuar edhe si fotograf. Ka punuar si kameraman, në shumë kanale televizive. Kameramani, Njazi Sako, bëri të mundur edhe hapjen e një Kanali TV privat, në qytetin e Gjirokastrës.
Agron Hima me bashkëshorten e tij Bukurie Mata (Hima), kanë hapur studion e tyre fotografike në Tepelenë, ku Agroni është edhe kameraman.
Bashkim Durmishi, është një tjetër kameraman memaliot, që ka filluar të punojë qysh në fillimet e viteve 1990.
Dorina Zhupa, është fotografe dhe kameramane në qytetin e Tepelenës, e cila ka hapur edhe studion e saj.
Elez Merkaj, është fotograf dhe kameraman nga Memaliaj.
Për këtë shkrim, na kanë ndihmuar shumë edhe komentet, të cilat po sjellim si më poshtë
Agim Majkaj: “Thodhori Bruzho dhe Vasil Banga, njihen si fotografët tepelenas, me një fototekë shumë të pasur dhe të paparë.”
Aleksander Gjosha: “Në vitin 1956, aparat fotografik të markës “ Sotge”, ka patur babai im, Gani Gjosha, i cili kishte dhe një dhomë me dritë, ku i lante dhe i nderte me kapsa, fotot e bëra. Ai punonte bashkë me dajon tim, Hamit Selimi nga Tepelena, Ai shkonte pas pune, nëpër fshatrat përreth Memaliajt dhe u bënte fotografi, çifteve dhe pleqve.”
Astrit Bekuli: “Fotografë në qytetin e Tepelenës, që kanë punuar në shtet dhe ata me aparat personal, janë disa prej tyre si: Hamit Selimi, Thodhori Bruzho, Sonja Mamaqi, Alem Zifla, Arben Ali Likometi, Ilir Kalemi, Vasil Banga dhe Ferrik Kreci nga Buzi, …etj.”
Për të saktësuar emrat e disa fotografëve, i kërkova ndihmë tepelenasit, Astrit Dervishi, i cili shkruan, duke ndihmuar edhe për kohën e tyre, që ata kanë punuar në Tepelenë: “Me aq sa mbaj mend: Perlat Meçe ka punuar fotograf në vitet 1980-89, Kristo Mërtiri (1975-80), Mete Qëndro (1955- 65), Gëzim Redhaj (1980-88), Fatmir Ruçi kameraman që ka punuar në vitet 1985-90) dhe Myzafer Zifla, karmeraman në vitet 1992-98. Më shkruani, nëse kërkoni edhe për emra të tjerë?”
Ndërsa tepelenasi, Agim Rusto shprehet: “Në atë sistem, fotografitë beheshin vetëm nga fotografët që ishin punonjës të ish Ndërmarjes së Shërbimeve Komunale, të cilët shkonin në çdo fshat për të bërë fotografi, ashtu si dhe në qytet. Filmat e këtyre fotografëve laheshin në laboratorët që ishin në lokalet e këtyre ndërmarrjeve.
Në mbyllje të këtij shkrimi dokumentar, shpreh mirënjohjen më të thellë për punën e palodhur të këtyre fotografëve dhe kameramanëve, të cilën e kryenin plotë pasion, përkushtim dhe profesionalizëm.
Edmond Ismailati
Dhjetor, 2023