Nga Aurenc Bebja*, Francë
“Paris-presse” ka botuar, të premten e 20 marsit 1953, në ballinë, një shkrim në lidhje me historinë e fotografisë së parë ekskluzive të partizanëve shqiptarë “titistë” që luftonin kundra regjimit rusofil të Enver Hoxhës, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:
Ekskluzive – Fotografitë e para të partizanëve shqiptarë
(Nga të dërguarit tanë të veçantë në kufirin shqiptar: François PAGES dhe Jean-François DEVAY)
Fotografia e partizanit shqiptar: do të vërejmë dobësinë e armatimit të guerileve dhe uniformat e tyre heterogjene.
“Kur e bëra këtë foto, ne nuk ishim aq të qetë.”
Njeriu që po flet në këtë mënyrë është një përkrahës i ushtrisë së kryengritjes shqiptare dhe dokumenti për të cilin po flet është fotografia e parë që na ka ardhur nga zonat e çliruara të Shqipërisë që nga vdekja e Stalinit, këtu më lart.
Ngjarja ndodhi javën e kaluar në rajonin e Lumës në veri të Shqipërisë. Një grup partizanësh, të cilët kishin disa muaj që qëndronin në një zonë malore, zbritën në fushë që të çlironin një nga të burgosurit e tyre. Por ai u vu në vështirësi nga një batalion i “brigadave speciale” – S.S.-të (sigurimsat) e regjimit rusofil të Enver Hoxhës dhe filluan luftime të përgjakshme.
Disa dhjetra burra humbën jetën në secilin kamp dhe më në fund partizanët u ngjitën në male. Gjatë ngjitjes, njëri prej tyre u kërkoi shokëve të tij të pozojnë për foton më lart gjatë mjekimit të një partizani të plagosur rëndë. I plagosur edhe vetë disa ditë më vonë, partizani-fotograf u largua në Jugosllavi, ku u prit nga “komiteti” i famshëm i Apostol Tanefit, te i cili ne atëherë ishim nikoqirë. Kështu kemi marrë këtë dokument të një cilësie teknike të diskutueshme, por me një origjinalitet të çmuar.
“Komiteti” i Apostol Tanefit, është qeveria shqiptare filo-jugosllave e përbërë nën kufirin jugosllav nga “titistët” kundërshtarë të regjimit rusofil të Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut. Ai e ka qendrën në Prishtinë në një strehë të thjeshtë, ku ngjason me një seli të Partisë Komuniste sesa një qendër qeveritare.