Presidenti rus Vladimir Putin ka lindur e është edukuar në Bashkimin Sovjetik, në një kohë pra kur regjimi komunist ndalonte çdo manifestim publik të fesë.
Ndërsa sot e sheh atë me një kryq në qafë dhe në shërbesa kishtare.
A është vërtet ai një besimtar i zellshëm ortodoks teksa fëmijërinë dhe rininë e ka kaluar nën ateizëm?
Si ndodhi që tashmë mban kryq në qafë?
Gjatë paraqitjes së tij në një emision televiziv të gazetarit amerikan Larry King në CNN, ai tha se nuk dëshiron të flasë shumë për këtë temë.
“Nuk është e nevojshme që të gjithë të demonstrojnë manifestimin e tyre të besimit, sepse është diçka që qëndron në zemrën e njeriut. Sa i përket mbajtjes së kryqit kjo është diçka e vonë, pasi nuk e kam mbajtur kurrë atë, derisa ma dha nëna para një vizite në Izrael”.
E sipas tij, ishte pagëzuar me këtë rast para vajtjes në vendin e Varrit të Shenjtë.
Më pas ai sqaroi se një ndodhi e pazakontë e kishte detyruar që kurrë mos e hiqte kryqin nga qafa. Një zjarr që kish rënë në një sauna ku ai ndodhej, ia kishte përpirë atë, e kështu prej atij çasti Putin kishte vendosur ta mbante në qafë pa e hequr.
Por sërish vjen pyetja, nëse ai është një besimtar në kuptimin e mirëfilltë e të plotë të fjalës?
“Unë besoj në faktin se ne të gjithë erdhëm në këtë botë për të bërë mirë. Nëse e bëjmë të gjithë së bashku, atëherë do kemi sukses të madh. Pavarësisht nga marrëdhëniet tona ndërpersonale, është e rëndësishme të arrijmë qëllimin përfundimtar, ngushëllimin në zemrat tona”, theksoi Putin.