AFP/ Rituali është gjithmonë i njëjtë. Mario Prushi lan me kujdes duart dhe fytyrën përpara se të puthë dhe t’i vendosë në ballë një prej Kuraneve më të vegjël në botë.
Për breza të tërë, libri me madhësinë e pullës postare është përcjellë në familjen e tij, pasi u ka mbijetuar luftërave dhe regjimit komunist.
Studiuesit thonë se është një nga Kuranet më të vegjël të regjistruar, që mbahet brenda një kutie argjendi të nxirë me kalimin e viteve.
“Ne e kemi ruajtur brez pas brezi me përkushtim absolut”, thotë Prushi, 45 vjeç, i cili ndodhet në shtëpinë e tij në Tiranë.
Vetëm dy centimetra i gjerë dhe një centimetër i trashë, libri pothuajse zhduket në pëllëmbën e dorës së Prushit dhe mund të lexohet vetëm me një xham të vogël zmadhues që është vendosur në kutinë e Kuranit.
Kurani është i vështirë të datohet në mungesë të analizave shkencore, por sipas Elton Karaj, një studiues i Kuranit, kopja prej 900 faqesh ka ekzistuar të paktën që nga shekulli i 19-të.
“Ky Kuran është shtypur në një format shumë të vogël, nga më të vegjlit në botë. Që nga pamja e tij, botimi i tij daton në fund të shekullit të 19-të, është një vepër e jashtëzakonshme, shumë e vlefshme. Është fat që kjo kopje është në Shqipëri”, ka thënë Karaj për AFP.
Por madhësia e tij nuk është e vetmja gjë e jashtëzakonshme e Kuranit. Ai është gjithashtu “përgjegjës” për konvertimin e familjes Prushi nga katolikë në muslimanë.
“Stërgjyshërit e mi po gërmonin tokën për një shtëpi të re në rajonin e Gjakovës të Kosovës kur gjetën trupin e ruajtur në mënyrë perfekte të një njeriu të varrosur atje”, tha Prushi.
“Kurani u gjet i paprekur i vendosur mbi zemrën e tij”.
Familja e mori zbulimin si një shenjë hyjnore dhe përqafoi Islamin.
Gjyshi i tij, oficer në ushtrinë e mbretit Zog të Shqipërisë në vitet 1930, dinte arabisht dhe ftonte miqtë në shtëpinë e tij çdo natë për të lexuar vargje nga Kurani.
Vite më vonë, nën diktaturën komuniste të Enver Hoxhës, i cili ndaloi plotësisht të gjitha format e fesë dhe i dërgoi të gjithë besimtarët praktikues në burg, libri mbijetoi pjesërisht sepse mund të fshihej shumë lehtë.
“Dikush kishte lajmëruar policinë sekrete se ne kishim një Kuran në shtëpinë tonë, por ishte aq i vogël sa babai im arriti ta fshihte. Agjentët lëvizën qiellin e tokën dhe nuk e gjetën”, thotë Prushi.
Pas incidentit, babai i Prushit, Skënderi, vendosi t’ua besonte atë miqve në Kosovën fqinje, duke e kaluar përtej kufirit të fshehur në një kamion plot me qymyr.
Ai e mori atë vetëm pas luftës në Kosovë në vitin 1999, ku u varros thellë për të shpëtuar nga luftimet.
Më pas Prushi trashëgoi Kuranin pak para vdekjes së babait të tij në vitin 2012.
“Ky libër i vogël mbart shumë histori, bekime dhe mrekulli. Është shumë i dashur për mua”, thotë Prushi.
“Sa herë që e prek, prekem”, thotë bashkëshortja e tij Blerina.
“Kur diçka shkon keq ose kur vajza jonë është e sëmurë, ne ndihemi të qetësuar sepse e dimë se Kurani do të na mbrojë, është një hajmali e vërtetë”, shtoi ajo.
Familja ka marrë oferta të shumta për ta shitur, përfshirë edhe nga muzetë por Prushi thotë se nuk e ka menduar kurrë ta shesë.
“Ky Kuran i përket familjes sonë dhe do të mbetet gjithmonë me ne”, përfundon Prushi.