Rreth mesnatës së 6 shkurtit 2024, Policia Kombëtare e Ekuadorit sulmoi një vilë ngjyrë bezhë, dykatëshe në një lagje luksoze në periferi të Guayaquil, qyteti port më i madh i vendit. Brenda, ata gjetën një nënë me vajzën e saj të vogël, si dhe një armë zjarri dhe municione të shumta. Bashkëshorti, biznesmeni shqiptar Dritan Gjika nuk gjendej askund.
Bastisja ishte pjesë e një spastrimi shumë më të madh të zbatimit të ligjit. Atë natë, policia në Spanjë dhe Ekuador arrestoi 31 anëtarë të dyshuar të një organizatë ndërkontinentale të trafikut të kokainës. Autoritetet akuzuan këtë bandë se kishte kontrabanduar tonelata kokainë nga Kolumbia përmes Ekuadorit në Evropë. Vetëm nga ky rrjet, sipas përllogaritjeve i kishin konfiskuar në total mbi 9.5 ton kokainë. Pas operacionit, autoritetet ngrinë asete me vlerë mbi 51 milionë dollarë.
Gjika, drejtuesi i dyshuar i grupit, akuzohet për ndërtimin e një operacioni të sofistikuar trafikimi me ndihmën e biznesmenëve me ndikim të lidhur me nivelet më të larta të qeverisë dhe të mbrojtur nga shefi i policisë së Ekuadorit. Hetimi zbuloi se si Gjika u bë një nga trafikantët më të shquar shqiptarë në trafikun e drogës në Ekuador vitet e fundit. E teksa një pjesë e madhe e rrjetit të tij ka dalë tashmë në sipërfaqe, fati i vetë Gjikës mbetet i paqartë.
Mbërritja në Ekuador
Përtej faktit se Gjika ka lindur më 28 dhjetor 1976, në qytetin e quajtur Shkodër në veri të Shqipërisë, ka pak gjurmë të jetës së tij të hershme. Në fakt në Shqipëri ka fare pak gjurmë të tij.
“Në Shqipëri nuk ka asnjë provë që të tregojë përfshirjen e tij në ndonjë aktivitet të paligjshëm. Ndaj tij nuk është regjistruar asnjë hetim penal apo çështje gjyqësore dhe ai nuk ka asnjë pronë apo biznes të regjistruar në emrin e tij”, – tha Dorjana Bezat, një gazetare shqiptare që ka hetuar Gjikën për “InSight Crime”.
Gjika shkoi për herë të parë në Ekuador në nëntor të vitit 2009, kur ishte 33 vjeç. Në vitin 2013, atij iu dha shtetësia dhe u vendos në Guayaquil, zemra ekonomike e Ekuadorit. Aty filloi të ndërtonte perandorinë e tij të trafikut të drogës. Ai ishte një nga trafikantët e parë shqiptarë që hapi dyqan në Ekuador, duke u paraqitur si biznesmen.
“Gjika është një pionier në drejtim të rritjes së trafikut të drogës dhe pozicionimit të tij si një ofrues kryesor i kokainës” – tha për “InSight Crime”, Fatjona Mejdini, një studiuese për Iniciativën Globale kundër Krimit të Organizuar Transnacional.
Gjika dhe një tjetër shqiptar blenë një kompani eksporti të quajtur “Cresmark S.A.” në vitin 2014 dhe Gjika u emërua si menaxher i përgjithshëm. Në të njëjtin vit, ai hapi një kompani ndërtimi së bashku me biznesmenin ekuadorian Rubén Cherres.
Cherres nuk ishte i panjohur për forcat e zbatimin e ligjit. Në vitin 1999, ai ishte arrestuar me akuzën e trafikut të drogës pasi një bastisje e policisë çoi në sekuestrimin e 108 pakove me kokainë. Ai u shpall i pafajshëm një vit më pas pasi disa figura me ndikim dhanë dëshmi që kërkonin lirimin e tij, duke përfshirë Danilo Carrera, kunati i presidentit të atëhershëm të Ekuadorit, Guillermo Lasso.
Përveç lidhjeve të tij me politikën, Cherres ishte gjithashtu i lidhur mirë me biznesin dhe elitat politike të Ekuadorit, duke e bërë atë një aleat të fuqishëm për skemën e trafikut të drogës të Gjikës.
Megjithëse është e paqartë saktësisht se kur Gjika filloi të trafikonte kokainë në Evropë, është e qartë se ai ishte në vendin e duhur kur në Kolumbinë fqinje, qeveria dhe Forcat e Armatosura Revolucionare të Kolumbisë (Fuerzas Armadas Revolucionarias de Colombia – FARC) nënshkruan një marrëveshje historike të paqes në 2016-ën. Kur FARC u çmobilizua në 2017-ën, disidentët e Frontit të 48-të të FARC mbajtën armët dhe territoret e tyre në kufirin Kolumbi – Ekuador. Në mungesë të kontakteve me blerësit ndërkombëtarë, ata krijuan një aleancë me “Constru”, një rrjet trafiku droge që dominonte rrugët për në Sucumbíos, një provincë e Ekuadorit. “Constru” lidhi mbetjet e FARC me blerës ndërkombëtarë, shumë prej tyre nga Ballkani, përfshirë edhe Gjikën.
Sipas policisë ekuadoriane dhe spanjolle, organizata e Gjikës fillimisht trafikonte kokainë në pako prej qindra kilogramësh në kontejnerë që i përkisnin kompanisë së Gjikës ose kompanive të tjera bashkëpunëtore. Në vitin 2018, Gjika me sa duket u përpoq të rriste biznesin e tij. Ai bleu aksione në një kompani të dytë eksporti, “Agricomtrade”, e cila dërgonte banane në kompani të ndryshme evropiane.
Një prej tyre, importuesi shqiptar Alba Exotic Fruit, është përdorur për të importuar kokainë në Shqipëri, sipas prokurorisë shqiptare. Në total, “Agricomtrade” dërgoi më shumë se 150 dërgesa nëpërmjet Alba Exotic Fruit.
Në vend që t’i ndoste duart e tij, Gjika dyshohet se kontraktoi detyrat “e pista” tek një rrjet më i gjerë operativësh, duke komunikuar me ta kryesisht përmes Skype. “Ai kurrë nuk preku asnjë gram drogë” – i tha “InSight Crime” një zyrtar i policisë ekuadoriane kundër narkotikëve, i cili kërkoi të mbetet anonim. “Ai ishte, siç thonë ata këtu në Ekuador, duke parë shfaqjen e demave nga larg”.
Gjika dyshohet se ka punuar me disa koordinatorë që mbikëqyrnin ngritjen e kompanive dhe rekrutimin e zyrtarëve publikë.
Sipas raportimeve të policisë spanjolle, organizata e kishte burimin e kokainës nga një furnizues në Kolumbi, i cili dorëzonte 4 tonë drogë çdo muaj në qendrat e ruajtjes në Ekuador. Pagesat për dërgesat e kokainës depozitoheshin duke përdorur llogari bankare që i përkisnin një anëtari të rrjetit të Gjikës, sipas prokurorëve ekuadorianë. Pasi kokaina mbërrinte në Ekuador, nënkontraktorët ekuadorianë merreshin me magazinimin dhe transportin. Organizata e Gjikës i paguante këta nënkontraktorë me kokainë.
“I paguanin 10 kilogramë kokainë dhe ato 10 kilogramë nuk eksportoheshin, por rishpërndaheshin në vend”, – tha një hetues që kërkoi të mbetej anonim. Në këtë mënyrë, Gjika shmangte në masë të madhe lënien e gjurmëve në letra që do ta lidhnin atë me aktivitetin e trafikut të drogës.
I padukshmi Gjika
Nëpërmjet lidhjeve të tij me disa nga biznesmenët kryesorë të Ekuadorit dhe zyrtarët e qeverisë, Gjika ndërtoi një rrjet që mbronte operacionet e tij nga ndjekja penale. “Ai ishte dikush që me të vërtetë punonte me llogari dhe investohej shumë në botën e biznesit” – thotë Mejdini.
Kontakti i tij më i rëndësishëm, thonë autoritetet, ishte Tannya Varela, e cila ishte kreu i policisë së Ekuadorit midis marsit 2021 dhe janarit 2022, e cila është nën hetim nga prokurori i Ekuadorit për lidhje me Gjikën.
Ligjvënësit ekuadorianë pretendojnë se Varela filloi të punonte me Gjikën kur ajo u emërua në një aeroport në provincën e Guayas. Ajo supozohet se ka ndihmuar Gjikën duke vendosur oficerë policie të besuar në lokacione kyçe për të lehtësuar operacionet e tij të trafikut të drogës.
Për të siguruar kalimin e kokainës në Evropë, Gjika punoi me Mario Sánchez Rinaldi, një biznesmen italo-argjentinas me qendër në Costa del Sol të Spanjës. Rinaldi luajti një rol kyç në pastrimin parave të fituara nga organizat, sipas autoriteteve spanjolle dhe ekuadoriane. Së bashku, ata kishin kontroll nga fillimi në fund të çdo rrugë kokaine nga Kolumbia në Evropë. “InSight Crime” kontaktoi me avokatin e Rinaldit, por nuk mori përgjigje.
Plasaritjet e para
Ndërsa presioni i forcave të rendit mbi operacionet e tij të trafikut të drogës rritej, Gjika dukej se po përshtatej, duke ndryshuar metodat e kontrabandës kur ishte e nevojshme. Në vitin 2020, policia holandeze sekuestroi një ngarkesë prej 1.1 ton kokainë që dyshohet se i përkiste Gjikës. Si përgjigje, Gjika me sa duket kaloi nga përdorimi i kompanive të tij në përdorimin e një metode të njohur si “rip-on rip-off”, në të cilën hapen kontejnerët e transportit të palëve të treta jo-bashkëpunëtore me rrjetin dhe droga futet aty. Sapo kontejnerët mbërrijnë në portin e destinacionit, droga hiqet nga anëtarët e bandës, shpesh të ndihmuar nga punonjës të korruptuar të portit.
Njohuritë dhe kontaktet e Gjikës në sektorin e eksportit dyshohet se ishin kyçe në këtë tranzicion. Organizata e tij kishte akses në infrastrukturën portuale në Ekuador dhe të dhëna të privilegjuara të transportit detar, sipas policisë ekuadoriane dhe spanjolle.
Në një ditë të vetme në qershor 2021, Gjika dhe Cherres themeluan 8 kompani, shumica në sektorin e ndërtimit. Që atëherë, 6 prej tyre janë nën hetim për pastrim parash. Midis viteve 2015 dhe 2024, organizata ka pastruar të paktën 31 milionë dollarë përmes këtyre kompanive dhe të tjerave, sipas prokurorit publik të Ekuadorit.
Megjithatë, në mesin e vitit 2021, policia kundër narkotikëve e Ekuadorit nisi një hetim që identifikoi Gjikën si kreun e një skeme trafiku kokaine që përfshinte Cherres dhe biznesmenë të tjerë ekuadorianë.
Varela, në atë kohë shefe policie, duket se i ka shpëtuar Gjikën dhe Cherres nga ndjekja penale. Ajo i lëvizi hetuesit nga çështja në shtator 2021 dhe i ricaktoi në zona anembanë Ekuadorit. Çështja u mbyll muaj më vonë, në janar 2022, menjëherë pasi Varela u largua nga detyra nga presidenti i atëhershëm Lasso.
Në maj 2024, prokurorja publike e Ekuadorit, Diana Salazar zbuloi ekzistencën e një hetimi ndaj Varelës dhe dy gjeneralëve të tjerë të policisë për lëvizjet e personelit dhe lënien në mes të hetimit të veprave kriminale. Varela mohoi akuzat për lidhje të saj me strukturën kriminale në shkurt. “InSight Crime” nuk ishte në gjendje të kontaktonte me të.
Perandoria shkërmoqet
Gjika u vu nën një vëzhgim gjithnjë e më të madh në fillim të vitit 2023, kur një mori raportimesh mediatike përmendën emrin e tij për lidhje me një skemë korrupsioni të nivelit të lartë. Më 9 janar 2023, gazeta ekuadoriane “La Posta” publikoi detaje rreth një skeme ryshfeti të kryesuar nga Carrera dhe Cherres. Ndërkohë Lasso pohoi mbështetjen e tij për Carrera.
Më pas, më 13 shkurt 2023, “La Posta” publikoi të dhënat e zbuluara nga policia në hetimin e 2021-shit që lidhte Cherresin dhe më pas Carrera-n me Gjikën dhe rrjetin e tij të trafikut të drogës. Kjo nxori në pah rrjetin e operacioneve të Gjikës dhe çoi në rihapjen e hetimeve të policisë të mbyllura në janar 2022.
Dhe, më në fund, më 23 shkurt 2023, një grup ligjvënësish të udhëhequr nga gazetari dhe anëtari i atëhershëm i kongresit Fernando Villavicencio publikuan një raport me shumë detaje mbi lidhjet e Gjikës me trafikun e drogës. Raporti fliste gjerësisht mbi lidhjen e supozuara mes Varelës dhe Gjikës dhe pretendonte se Presidenti Lasso kishte dijeni për lidhjet mes Carrera, Cheres dhe trafikantit shqiptar të drogës që nga korriku 2021.
Zhurma publike e vuri Lasso nën një vëzhgim intensiv mbi aktivitetet e supozuara të kunatit të tij dhe përpjekjet e qeverisë së tij për t’i mbuluar ato. Hetimi për Carrera u rihap dhe lidhjet e mundshme me trafikantët shqiptarë të drogës u bënë një skandal politik që kulmoi me një proces shkarkimi ndaj Presidentit Lasso. Villavicencio u vra muaj më vonë gjatë fushatës së tij politike për presidencën.
Larg nga “i nxehti”
Gjika thuhet se u largua nga Ekuadori më 9 janar 2023, në të njëjtën ditë me publikimin e parë të investigimit të “La Posta”. Që atëherë, është e paqartë nëse ai ka vazhduar operacionet e tij të trafikut të drogës. Në mars 2023, Cherres, partneri i tij afatgjatë në biznes u vra. Cherres kishte qenë një dëshmitar kyç në procedurën gjyqësore kundër rrjetit të trafikut të drogës së Gjikës. Carrera është nën hetim nga Prokurori i Përgjithshëm i Ekuadorit për drejtimin e një rrjeti korrupsioni së bashku me Cherres. Ai nuk iu përgjigj kërkesës së “InSight Crime” për një koment.
Përgjimet e publikuara në mars 2024 sugjerojnë se Gjika mund të ketë kërkuar vdekjen e Cherres për një borxh të papaguar. Gjithashtu duket se Gjika ka lëvizur aksionet e disa prej kompanive të tij, përfshirë “Agricomtrade”, mbi anëtarët e organizatës së tij kriminale. Këta anëtarë që atëherë janë akuzuar për pastrim parash për organizatën e Gjikës nëpërmjet transaksioneve të paligjshme duke përdorur këto kompani.
Operacioni i përbashkët në shkurt 2024 çmontoi një pjesë të madhe të infrastrukturës së dyshuar të trafiqeve të Gjikës, pasi shumë anëtarë të rangut të lartë të organizatës së tij u arrestuan. Ata aktualisht po përballen në gjyq me akuza për trafik droge dhe pastrim parash në Ekuador.
Megjithatë, aktiviteti ekonomik i Gjikës në Ekuador ka vazhduar pavarësisht mungesës së tij. Në tetor 2023, ai themeloi kompaninë “Riomel Gold Corporation”, e dedikuar për tregtimin e metaleve të çmuara. “Riomel Gold” është ende aktive edhe sot, sipas regjistrit të biznesit të Ekuadorit. “InSight Crime” nuk mundi të kontaktonte as Gjikën dhe as “Riomel Gold” për një koment.
Që nga rrëzimi i aleatëve të dyshuar të Gjikës, autoritetet në Ekuador nuk kanë arrestuar asnjë trafikant tjetër të madh shqiptar të drogës. Por kërkesa për kokainë në Evropë mbetet e lartë dhe rrjetet e tjera transatlantike po mbushin hendekun e kësaj kërkese./ Marrë nga “InSight Crime”