Nga Aulon Naçi*
“Muzika, kjo mrekulli hyjnore ka forcën e jashtëzakonshme të pastrojë dhe të frymëzojë njeriun”, me këtë shprehje nga kompozitori Oliver Messien nis libri shkencor “Historia e muzikës shqiptare” të Prof. As Nestor Kraja, që personalisht pata nderin ta lexoj, duke e falënderuar për besimin dhe ftesën të ndaj sot me ju disa mendime rreth tij.
Ndërsa e lexoja, gjëja e parë që më erdhi në mendje ishte shprehja latine: “primum scire te ipsum” që do të thotë “fillimisht njih vetveten”, sepse pavarësisht ku kemi studiuar dhe jemi brumosur, të gjithë ne i përkasim një populli dhe një kulturë të caktuar.
Ky libër momunental, për gjithëpërfshirjen në shumë fusha, për kronologjinë dhe për hapësirën mbarëshqiptare, për përzgjedhjen e kujdesshme dhe serioze të materialit muzikor të paraqitur, për kontekstualizimin e prekshëm të asaj që paraqet, për literaturën e shumëllojshme ku është bazuar, jo vetëm që të bën krenar për muzikën shqiptare, por është tashmë një pasuri dhe një gur i rëndë themeli mbi Historinë tonë të Muzikës.
Libri “Historia e Muzikës shqiptare” si kontribut i punës disavjeçare të Prof. As. Nestor Kraja dhe i mbështetur nga Fakulteti i Muzikës i Universitetit të Arteve në Tiranë pasqyron muzikën shqiptare në rrjedhojat e kohës, që nga prehistoria, Iliria, pastaj gjatë lindjes së Krishtërimit, periudhës bizantine, osmane, Rilindjes Kombëtare, Pavarësisë, kohës së mbretit Zog, Luftës II Botërore, komunizmit, mbas viteve 1990 e deri në ditët tona. Prof. Nestor Kraja tregon duke ju referuar shumë burimeve sesi është zhvilluar dhe si ka ndikuar muzika në shoqërinë shqiptare dhe shtresat e saj.
Në fytyrën shumëshekullore të Shqipërisë shkëlqejnë figurat e Niketë Dardanit me “Te Deum” dhe Jan Kukuzelit, që të dy klerikë që bashkohen në kufirin e dy realiteteve: atë katolik dhe ortodoks. Duke sikur Pr. Kraja duke studjuar këtë lëmi studjon vetëdijen e historisë, fizionominë identifikuese të popullit shqiptar nëpërmjet muzikës.
Ashtu si të gjithë studiuesit dhe historianët seriozë, edhe profesor Kraja tregon me fakte rolin e Krishtërimit që nga kohërat apostolike në Shqipëri për vlerat morale dhe shpirtërore, ku futet edhe muzika. Klerikët shqiptarë luftuan në dy fronte: atë shpirtëror dhe atë patriotik, sepse duke ua ruajtur traditën, krishtërimi ua ka ruajtur dhe popujve historinë e tyre, gjë që dëshmon vepra e katër klerikëve me B të madhe: Bardhi, Budi, Bogdani e Buzuku.
Po ndalem pak këtu duke theksuar këtë fakt, sepse krahinat e veriut të Shqipërisë dhe kryesisht katolikët me françeskanët, benediktinët dhe domenikanët të shkolluar në perëndim dhe me një kulturë mbresëlënëse, me anë të muzikës jo vetëm që kanë gjallëruar jetën kishtare, por edhe kulturën kombëtare duke sfiduar pushtimin gjysmëshekullor. Jo më kot për këtë temë ka shkruar gjerësisht, madje dhe imtësisht për Shkodrën, kryeqendrën e katolikëve, Pr. Nestor Kraja, sepse Shkodra do të bëhej dhe kryeqendra e muzikës dhe e kompozitorëve shqiptarë. Ky fakt duhet të njihet nga brezi i ri, sepse në literaturën e mëparshme muzikore flitej me përçmim për fenë dhe punën e saj edukative dhe patriotike. Jo më kot veprat muzikore madhore patriotike për Skënderbeun i kemi prej prifit katolik dhe kompozitorit At Martin Gjoka dhe prifit ortodoks dhe kompozitor Fan Nolit, të cilët krahas muzikës së kultit synuan dhe atë patriotike. Përmbajtja e pasur e këtij libri është ndarë në 12 kapituj, si një numër i shenjtë biblik, por dhe kombëtar. Të gjithë kapitujt janë përzgjedhur dhe paraqitur me shumë kulturë dhe profesionalizëm, pa harruar kompozitorët, instrumentistët, estetët dhe muzikologët më të spikatur që tregojnë dhe tipizojnë kompozimin, mendimin dhe performancën muzikore si dhe superstrukturat historike dhe zhvillimore më të rëndësishme muzikore të vendit tonë. Përveç 12 kapitujve që nisin nga antikiteti e mesjeta e përfundojnë tek kapitulli 12 me zhvillimin e muzikës simfonike shqiptare, prof. Kraja i kushton rëndësi kapitullit me “Portrete autorësh”. Janë aq shumë emra autorësh sa duket se brenda një lumi kohor kemi një lumë njerëzish. Brenda secilit kapitull ka ndarje dhe nëndarje të mëtejshme, ku me një kontekst social dhe historik për çdo repertor, theksohet të menduarit historik muzikor për secilën epokë dhe janë më të shtjelluara për njerëzit dhe epokat që kanë qenë të lëna mënjanë, apo të shpërfillur nga koha dhe politikat shtypëse. Pr. Kraja e thekson në libër se gjatë pushtimit otoman nuk lejohej me ferman shkrimi dhe përdorimi i gjuhës shqipe.
Kjo gjë ka bërë që shumë vepra t´i gëlltisë errësira dhe ngelesh pa frymë nga mizoria. Dikush mund të pyesë se “ku i keni ju shqiptarët veprat gjatë këtyre shekujve”? Mua m´u kujtua ajo që thotë shkrimtari Milan Kundera: “Hapi i parë në lekuidimin e një populli është t´i fshini kujtesën. Shkatërrojini librat, kulturën dhe historinë e tij. Atëherë vini dikë të shkruajë libra të rinj, të krijojë një kulturë të re, të shpikë një histori të re. Jo shumë vonë, kombi do të harrojë se çfarë është dhe çfarë qe”.
Ky libër është i vlefshëm në radhë të parë për të gjithë studentët tanë sepse këtu do të gjejnë material për të gjitha aspektet e muzikës shqiptare në të gjitha trevat dhe të gjitha periudhat historike duke bërë një ballafaqim me kulturën muzikore perëndimore. Ky libër më ka frymëzuar, por ai mund të frymëzojë dhe studentët duke theksuar faktin se vlerat njerëzore dhe idealet kombëtare kanë rezultuar më me ndikim në veprat muzikore, stilet, zhanret, gjinitë, i kanë bërë ato më jetëgjata dhe universale.
Ky libër i shkruar me shumë dashuri dhe ndërgjegje kombëtare, shpalos trashëgiminë tonë muzikore dhe rëndësinë e saj sot në ballafaqimet me muzikën perëndimore. Çdo student, ka çfarë të mësojë, çfarë të tregojë dhe si mund të ecë përpara në studime të mëtejshme duke e pasur këtë libër si pikë referimi. Prof. Nestori shprehet se ka dashur të transmetojë besueshëm emocionet dhe entuziazmin që kanë shkaktuar një pjesë e mirë e veprave të shkëlqyera të muzikës sonë në çastin e ekzekutimit në periudha të ndryshme të etapave të zhvillimit të tyre. Ky aspekt emocional do të duhet të jetë në harmoni me mentalitetin e kohës, rrethanat e krijimit dhe me të gjitha aspektet që e përbëjnë, sigurisht nën optikën e këndvështrimit të sotëm. Duke e falëndëruar për këtë kontribut me vlerë të madhe në historinë e muzikës shqiptare, dëshiroj t´i shpreh urimet më të përzemërta dhe suksese të mëtejshme në karrierë dhe krijimtari.
*Kompozitor, pedagog në UA