Në 28 shtator 2021, trajneri Yuri Vernydub u bë i famshëm pas udhëhoqi Sheriff Tiraspol drejt një fitore të befasishme 2-1 përballë Realit të Madridit në “Santiago Bernabéu”. Ishte ndeshja e parë në fazën e grupeve të Champions League dhe një arritje historike për ekipin moldav.
Kur kanë kaluar pesë muaj nga ajo ndeshje, në një realitet krejt ndryshe, trajneri i lindur në Yitomir ka braktisur stolin dhe mori armën në mbrojtje të vendit të tij. Fotografia e Yuri Vernydub me veshje kamuflazhi ushtarake, përkrah vullnetarëve të tjerë në luftën kundër pushtimit rus po bën xhiron e botës.
“Nëse do të nevojitet ndihma ime, jam këtu”, tha trajneri gjatë javës së kaluar. Përpara se t’i bashkohej vullnetarëve ukrainas, ai nuk i kurseu elozhet dhe krenarinë për ushtarët që po mbronin atdheun, për t’i dhënë mundësi njerëzve të bëjnë gjumin të qetë.
Vernydub ka qenë futbollist nga viti 1984 deri në 2002-shin, në disa skuadra ukrainase dhe ruse, përpara se të niste punën si trajner te Zorya në vitin 2011. Pas aventurës te bjellorusët e Shakhter Soligorsk, në vitin 2020 ai u emërua te Sheriff Tiraspol, klub i krijuar nga një ish-spiun i KGB-së që konkurron në Moldavi. Nën drejtimin e Vernydub, ata u bënë skuadra e parë moldave që u kualifikuan në fazën e grupeve të Champions League.