I pyetur njëherë se çfarë mendonte për qytetërimin perëndimor, Mahatma Gandi thuhet se ka thënë “Duhej të ishte një ide e mirë”. (Perëndimi, shtoi ai, nuk ishte aq i ndritur sa pretendon). Por siç e bën të qartë Zhozefin Kuin në librin e saj të ri, qytetërimi perëndimor ka qenë gjithmonë një ide e keqe, ose në çdo rast një ide e gabuar.
Të ndash historinë në një grup qytetërimesh të dallueshme dhe në thelb të pavarura, është një mënyrën e gabuar, e cila e ka shtrembëruar në një mënyrë të rrezikshme kuptimin tonë mbi botën. Zonja Kuin thekson:“Nuk janë popujt që bëjnë historinë, por njerëzit dhe lidhjet që ata krijojnë me njëri-tjetrin”.
Kuin, historiane dhe arkeologe, që jep mësim në Universitetin e Oksfordit, nuk ka harxhuar 500 faqe për të hedhur poshtë ato që breza të tërë nxënësish kanë mësuar në shkollë, dhe me të cilat krenohen duke i cilësuar si arritje evropiane. Përkundrazi, ajo e shkatërron konceptin themelor të asaj që ajo e quan “të menduarit të termat e civilizimit”.
Argumenti i saj është i thjeshtë, bindës dhe meriton vëmendje. Ideja e qytetërimit, thekson zonja Kuin, është relativisht e re. Kjo fjalë u përdor për herë të parë vetëm në mesin e shekullit XVIII-të, dhe nuk dominoi dot imagjinatën e perëndimoreve deri në fund të shekullit XIX-të.
Në atë epokë imperialiste, historianët zbuluan se qytetërimet greke, romake dhe të krishtera, realizonin blloqe ndërtimi të bukura, të cilat mund të bëheshin bashkë në një konstruksion madhështor, të cilin ata e etiketuan qytetërim “perëndimor” ose “evropian”.
Kësaj ata i atribuan një mori virtytesh “klasike” të trashëguara: energjinë, racionalitetin, drejtësinë, demokracinë dhe guximin për të eksperimentuar dhe eksploruar. Ndërkohë qytetërimet e tjera konsideroheshin si inferiore. Dhe për të ekspozuar marrëzinë e kësaj qasjeje, nuk duhet shumë zbërthim nga zonja Kuin.
Për shembull, Xhon Stuart Mill, filozofi i shekullit XIX, pretendonte se Beteja e Maratonës, pushtimi i parë i Persisë ndaj Greqisë në vitin 490 Para Erës Sonë, ishte më i rëndësishëm për historinë angleze sesa triumfi i Uilliam Pushtuesit në Betejës e Hastings në vitin 1066.
(Pa një fitore të athinasve, “fara magjike” e qytetërimit grek mund të mos ishte rritur kurrë në qytetërim perëndimor, pretendonte ai). Ose përmendim librin “Përplasja e qytetërimeve” të vitit 1996 nga Samuel Huntington, një historian amerikan, i cili deklaronte se historia është e pamundur të kuptohej pa e klasifikuar njerëzimin në qytetërime të caktuara armiqësore midis tyre “gjatë pjesës më të madhe të ekzistencës njerëzore”.
Ajo që është jo-ekzistente, është ndonjë e vërtetë për këtë koncept. Përshkrimi i shpejtë dhe reflektiv i zonjës Kuin mbi harkun e historisë evropiane, tregon se larg nga të qenit i rrallë, kontakti ndërmjet dhe ndërmjet kulturave, shpeshherë në distanca çuditërisht të gjata, ka qenë motori kryesor i përparimit njerëzor në çdo epokë.
Në vend se të jenë agresive dhe duke parë vetëm punët e tyre, shumica e shoqërive janë treguar të pranueshme ndaj ideve, modës dhe teknologjive të fqinjëve të tyre. Për shembull Greqia e lashtë, ishte më pak një vend origjine sesa transmetimi nga kulturat egjiptiane, sumere, asiriane dhe fenikase, të cilat vetë kishin përzier dhe shkëmbyer ide me njëra-tjetrën. Dhe në vend se të ishte burimi i demokracisë, Athina ishte “diçka e ardhur me vonesë” në një formë qeverisjeje, e cila duket se është provuar për herë të parë në Libi dhe në ishujt e Samos dhe Kios. Persianët, të konsideruar përjetësisht si e kundërta e grekëve në çdo gjë, imponuan në fakt demokracinë në qytetet greke që ata sundonin, duke sugjeruar një “besim të konsiderueshëm pers në mbështetjen popullore për hegjemoninë e tyre” thekson ndër të tjera zonja Kuin.
Në ri-tregimin prej saj të historisë së Perëndimit, spikat fokusi tek të papriturat dhe mbi shkëmbimet midis mbretërive dhe epokave dhe jo tek pjesët e mëdha dhe statike të historisë. Por ajo është gjithashtu një punë e admirueshme studimore. Mbi 100 faqe shënime në fund të librit të zonjës Kuin, na tregojnë se ajo mbështetet jo vetëm tek një gamë e gjerë burimesh parësore, por edhe në studime shkencore mbi ndryshimet klimatike dhe kërkime arkeologjike të kohëve të fundit.
Edhe adhuruesit me përvojë të historisë, do të gjejnë shumë gjëra të reja magjepsëse. “Si bota e formësoi Perëndimin” i bashkohet një numri librash në rritje, që eksplorojnë hapësirën e gjerë të historisë duke përdorur korniza të reja intelektuale, siç është libri bestseller “Sapiens” i historianit izraelit Juval Noah Harari (2011), “Rrugët e Mëndafshit” të Piter Frankopan (2015) dhe “Rënia e qytetërimeve”, një libër që pritet të dalë në treg së shpejti nga gazetari britanik, Pol Kuper, bazuar në podcast-in e tij të njohur. Kushdo që mendoi se historia kishte dalë jashtë modës, nuk mund të gabonte më shumë sesa kaq.