I themeluar për herë të parë rreth vitit 600 përpara Krishtit si një vendbanim grek, Napoli i viteve 1700 dhe ai i 1800-s së herët ishte një qytet i lulëzuar ujor. Teknikisht një mbretëri e pavarur, ishte e njohur për turmat e varfra që punonin shumë, që quheshin “lazzaroni”.
“Sa më afër qendrës, aq më e dendur bëhej popullata dhe shumica e jetës së tyre zhvillohej në mjedis të hapur, ndonjëherë edhe në shtëpi aq të vogla sa një dhomë”, thotë Carol Helstosky, autor i librit “Pizza: A global histori” dhe profesor i historisë në Universitetin e Denverit.
Ndryshe nga minoriteti i pasur, napolitanët e tjerë kërkonin ushqim të lirë, që mund ta konsumonin shpejt. Pitet e thjeshta të picës me mbushje të ndryshme, të ngrëna për çdo vakt dhe të shitura në rrugë nga shitës apo restorante modeste, u bënë plotësimi i kërkesës së qytetarëve të thjeshtë e të varfër.
Autorët italianë të kohës e kritikonin këtë zakon të ngrëni duke e quajtur shpesh si “të shpifur”. Ato pica të fillimit të konsumuara nga nevoja për çmime të lira dhe shpejtësi, zhvilluan përbërësit e shijshëm kaq të dashur për ne sot, si domatet, djathi, ullinjtë, sardelet dhe hudhrën.
Italia u bashkua e tëra në vitin 1861 dhe mbreti Umberto I e mbretëresha Margarita e vizituan Napolin më 1889-n. Legjenda tregon se udhëtarët u lodhën prej dietës së zakonshme të modës së kuzhinës franceze dhe kërkuan për ndonjë ushqim alternativ.
Kështu çifti mbretëror shprehu dëshirën për të konsumuar një shumëllojshmëri picash prej picerisë Brandi, pasardhës i picerisë Da Pietro, e themeluar më 1760-n.
Një nga versionet që mbretëresha shijoi më shumë, quhej pica “mocarela”, një pite e mbuluar me djathë të butë, domate dhe borzilok.
Historianët hedhin dyshimet mbi lidhjen e kësaj pice me flamurin e Italisë, sepse përbërësit e picës janë ngjyrë jeshile, të bardhë dhe të kuqe, po kështu edhe flamuri.
Që prej momentit që mbretëresha shijoi picën e saj të preferuar, ajo picë mori emrin e saj dhe u quajt ashtu sikurse në ditët e sotme, pica “Margarita”.
Bekimi që dha mbretëresha mund të ketë qenë fillimi i përhapjes gjithkund të picës. Duhet theksuar se pitet e mbushura nuk ishin ushqimi ekskluziv i “lazzaron”-ëve të Napolit, sepse në atë kohë ato konsumoheshin edhe prej egjiptianëve, romakëve dhe grekëve.
Grekët hanin një version të picës të mbuluar me bimë dhe ulli, të ngjashme me atë që sot quhet “focaccia”. Deri përpara vitit 1940, pica mbeti shumë pak e njohur në Itali, përgjithësisht karakteristike për qytetin e Napolit.
Një oqean më tej, emigrantët që kishin udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, po përhapnin ushqimin e tyre tradicional kudo në Nju Jork, Boston, Çikago dhe St. Louis.
Napolitanët ishin të interesuar për punë në fabrika, sikurse edhe miliona europianë të tjerë që emigruan në fund të shekullit 19 dhe fillim të shekullit 20. Ata nuk ishin aspak të interesuar në shpërndarjen e kuzhinës së tyre dhe nuk po kërkonin për një karrierë në fushën gastronomike, por kjo erdhi vetvetiu.
Shumë shpejt, shija dhe aroma e picës filloi të intrigoi njerëzit e tjerë që nuk ishin as napolitanë, as italianë.
Piceria e parë e dokumentuar në SHBA ishte “Lambardi?s” në Spring Street në Manhatan, e licencuar për shitjen e picave në vitin 1905.
Përpara kësaj, pica bëhej në shtëpi ose shitej prej njerëzve të palicencuar. “Lombardi-s”, piceria e parë në Amerikë, operon akoma edhe sot ashtu si në vitin 1905, veçse në një adresë të ndryshuar.
Debati për shijen më të mirë të picës qëndron i ndezur mes adhuruesve të saj në Amerikë dhe duket se çmimi ndahet mes tri picerive të hershme të viteve 1920: “Totonno-s”, “Mario-s” dhe “Pepe-s”.
Bumi i picës në SHBA erdhi menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, duke përfshirë që nga lindja në perëndim çdo qytet. Duke mos u parë më si një kërcënim etnik italian, pica u identifikua si një ushqim i shpejtë dhe gazmor.
Shija dhe përbërësit e picës u shtuan duke u personalizuar në çdo qytet dhe duke iu shtuar kështu pasurisë gastronomike të picës.
Ashtu sikurse bluxhinsi dhe rock and roll, pjesa tjetër e botës dhe vetë italianët e dashuruan picën, sepse ishte një trend amerikan.
A e dini se?
Fillimisht fjala picë shqiptohej “pitsa”.
E shtuna është dita e javës kur porositen më shumë pica.
Pica e preferuar e amerikanëve është ajo me speca djegës.
Ndër programet televizive, më shumë pica porositen gjatë parashikimit të motit.
Femrat janë ato që japin më shumë bakshishe kur marrin picat.
Në vitin 1945, ushtarët e kthyer prej Luftës së Dytë Botërore ishin të mahnitur prej picës italiane.
Në çdo sekondë në Amerikë konsumohen 350 copë pica, ndërsa çdo ditë 90-100 hektarë pica.
Të ardhurat nga biznesi i picës janë rreth 30 miliardë dollarë çdo vit.
Për të qeshur
Kur Xhorxh W. Bush porositi pica për në Shtëpinë e Bardhë, djali që i mori porosinë e pyeti nëse donte t’ia ndante picën në gjashtë apo dymbëdhjetë racione. Ish-presidenti iu përgjigj që t’ia ndante në gjashtë, sepse ai kurrsesi nuk mund të hante dymbëdhjetë racione.