Vendi ynë është duke përjetuar ditët më të vështira që pas tërmetit të 26 Nëntorit. Në programin “Historia ime” në Tv Klan është sjellë ditën e sotme një histori njerëzore, jete dhe shprese në mes të momenteve më tragjike që kaluam natën e tërmetit të fuqishëm. Bëhet fjalë për historinë e një gruaje që solli në jetë djalin e saj, në mes të lëkundjeve të tërmeteve të njëpasnjëshme që goditën vendin tonë.
Gazetarja e “Historia ime” ka udhëtuar drejt fshatit Radë që është shumë pranë Gjirit të Lalëzit, në familjen Sheraj, ku zonja Vjollca tregon situatën e vështirë që kanë kaluar natën e tërmetit.
“Sa jam bërë kaq, nuk e kam parë këtë goditje kaq të madhe, kështu nuk kam parë. Kjo ishte tragjedia e madhe kësaj radhe. Kemi qenë duke dalë, nusja ishte shtatzënë, ishte me kalamajtë. S’di si ta përshkruaj, e paimagjinueshme. Një situatë shumë e vështirë, kemi filluar të gjithë duke qarë. Fëmijët bërtisnin, edhe ne bashkë me fëmijët, por prapë unë thashë: Ju keqen nëna mos u mërzisni. U mblodhëm kokë më kokë dolëm përjashta, na futi djali i madh në makinë“.
Zonja Vjollca së bashku me familjen e saj prej 4 ditësh janë duke jetuar në çadër. Por në mes të dhimbjes, familja ka përjetuar një gëzim të madh, sepse nusja e saj ka lindur më 28 Nëntor, dy ditë pas tërmetit të fuqishëm.
Mamaja e vogëlushit të vogël ka lindur para kohe për shkak të frikës dhe tmerrit të përjetuar: “Akoma se kam marrë veten, shumë tmerr”.
Zonja Vjollca thotë se nusja e saj akoma nuk e kalon dot tmerrin e përjetuar atë natë.
“E ka përjetuar shumë keq nusja, se ka pasur dy gocat në krevat, edhe pse shtatzënë donte të mbronte gocat. Nuk është në gjendje, se harron kurrë këtë. Është një tmerr i paparë.. Kur e kujtojmë, O Zot… lutem: Faleminderit O Zot që na shpëtove. Një natë shumë e vështirë që s’kam për ta harruar gjithë jetën. Më rrinte mendja edhe tek nusja, edhe tek fëmija se lindi para kohe. Ky djali i vogël që lindi në këtë situatë të vështirë, të ketë fat dhe mirësi për këtë familjen time”.