Një grua nga Misuri kaloi 43 vjet burg për një krim që nuk e kreu. Por më në fund, të premten, ajo është liruar pasi në gjykatë u prezantuan provat e reja për pafajësinë e saj.
Sandra (Sandy) Hemme, 63 vjeçe, u dënua me burgim të përjetshëm në vitin 1980 për vrasjen e Patricia Jeschka, një bibliotekare nga Misuri, pasi Sandra e futi veten në telashe duke dhënë deklarata në polici, ndërsa ishte një paciente psikiatrike.
Të premten në gjykatë u paraqitën prova se vrasja në fakt ishte kryer nga një polic vendas i cili më pas përfundoi në burg për një krim tjetër dhe ndërroi jetë, shkruan The Guardian.
Sandra Hemme, e cila kaloi 43 vite pas hekurave, duhet të lirohet brenda 30 ditëve, nëse prokurorët nuk vendosin të nisin një çështje të re.
Koha e Hemme në burg konsiderohet më e gjata që një person i pafajshëm ka kaluar në një burg, thanë avokatët nga Projekti i Pafajësisë, një organizatë jofitimprurëse që ndihmon njerëzit e dënuar gabimisht.
“Ne jemi mirënjohës që gjykata më në fund njohu padrejtësinë e madhe të shkaktuar ndaj Sandra Hemme, e cila vuajti dënimin e saj për më shumë se 40 vjet”, thuhet në deklaratë.
Ajo pranoi se i shmangej dënimit me vdekje
Hemme fillimisht u deklarua fajtore për të shmangur dënimin me vdekje, por dënimi i saj u anulua në apel. Ajo u gjykua sërish në vitin 1985 kur prova e vetme kundër saj ishte “rrëfimi” i saj.
Në një peticion prej 147 faqesh që kërkon lirimin e saj, avokatët argumentuan se deklaratat e Hemes ishin “në fakt të pamundura” dhe se ajo i bëri ato ndërsa ishte paciente në një spital psikiatrik.
Hemme, asokohe 20 vjeçe, po trajtohej për halucinacione dëgjimore, derealizim dhe përdorim të drogës kur u vu në shënjestër të policisë, thanë avokatët e saj. Pjesën më të madhe të jetës së saj, duke filluar nga mosha 12-vjeçare, ajo e kaloi në trajtim psikiatrik spitalor.
Hemme dha rrëfime kontradiktore për vrasjen në seancat dëgjimore, ndërsa po trajtohej me antipsikotikë, thanë avokatët e saj.
“Në disa momente ajo ishte nën një mjekim aq të fortë sa nuk mund të ngrinte as kokën dhe ishte e lidhur në një karrige”, shkruan ata.
Detektivët vunë re se Hemme ishte konfuze dhe nuk mund t’i kuptonte plotësisht pyetjet e tyre. Steven Fueston, një detektiv në pension në Departamentin e Policisë në St. Jozefi, dëshmoi se ai përfundoi një nga bisedat sepse ajo “nuk dukej plotësisht koherente”.
Policia “shfrytëzoi sëmundjen e saj mendore dhe e detyroi të bënte deklarata të rreme ndërsa ajo ishte duke u trajtuar me antipsikotikë,” thanë avokatët e Sandras.
Policia mbuloi provat kundër kolegut të tyre
Avokatët e Sandras pohojnë gjithashtu se policia në atë kohë fshiu provat që tregonin Michael Holman, oficerin e atëhershëm 22-vjeçar që u përpoq të përdorte kartën e kreditit të viktimës. Kamioni i Holmanit u pa pranë vendit të krimit dhe në posedim të tij u gjetën një palë vathë të identifikuar nga babai i gruas së vrarë.
Holman ishte një i dyshuar dhe u mor në pyetje në atë kohë, por avokatët e Sandra Hemme nuk i panë kurrë dokumentet. Holman u hetua për mashtrim në sigurime dhe kaloi kohë në burg dhe vdiq në 2015.
Vendimi i ri thotë se “nuk ka asnjë provë tjetër përveç deklaratave jo të besueshme të zonjës Hemme të bëra gjatë kohës që ajo ishte në krizë psikiatrike dhe me dhimbje fizike”.
Nga ana tjetër, “provat e lidhin drejtpërdrejt Holmanin me vendin e krimit dhe me vrasjen”. Ai tha se prokurorët nuk kishin arritur të zbulonin prova që do të kishin ndihmuar mbrojtjen e Hemme dhe se avokati i saj kishte rënë “nën të gjitha standardet profesionale”.