Opinione Historia e shkurtër dhe e trishtë e letrave të pagjetura për Albin...

Historia e shkurtër dhe e trishtë e letrave të pagjetura për Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin

Veton Surroi

Nga Veton Surroi

1.

Ditën e parë të punës, kryeministri Albin Kurti gjeti të pastruar tavolinën e tij të punës. Dikush tha se aty duhej të kishte qenë një letër, me bukurshkrim, e shkruar me dorë. Duhej ta kishte lënë mbi tavolinë përdoruesi i fundit i saj, por tash nuk kishte gjë, as pluhur të ditës së djeshme.

Ditën e parë të punës, kryetarja e Kuvendit po ashtu u nis drejt tavolinës së saj, të pastruar. Nuk kishte mbetur mbi të gjë, as shenja e vogël se diçka dikur kishte qëndruar mbi të, lëre më atë që dikush tha se duhej të kishte qenë më herët – një letër e shkruar me dorë, me bukurshkrim e dedikim, për Vjosën. Thuhej se duhej ta kishte lënë përdoruesi i fundit.

Thuhej, tash nuk mbahet mend kush saktësisht, se letrat duhej të ishin të inspiruara prej dashurisë sonë të pakushtëzuar dhe të pakushtëzueshme për Amerikën. Dhe se në këtë dashuri të pakushtëzuar dhe të pakushtëzueshme do të merrnim një traditë të bukur, dhe jo të lashtë, të politikës amerikane-shkrimin e letrave për pasardhësin.

2.

E filloi i pari presidenti George H.W. Bush, apo siç njihet Bushi plak. Ndjeu, thotë në autobiografinë e tij, se në vetminë e ditës së fundit në Shtëpinë e Bardhë, duhej t’ia linte një pusullë mirëseardhjeje pasardhësit të tij, Bill Clinton. Dhe, se këtë do ta bënte përkundër faktit se kishte pasur një fushatë të ashpër zgjedhore, ndonjëherë me fjalë të pakëndshme, dhe se në fund të kësaj fushate ai doli humbës, e nuk mund të vazhdonte edhe për një mandat presidencial katërvjeçar.

Presidenti Clinton, në ditën e inaugurimit të tij, gjeti mbi tavolinën e punës këta rreshta:

I dashuri Bill,

Kur hyra tani në këtë zyrë m’u zgjua e njëjta ndjenjë e çudisë dhe respektit që ndjeva para katër vjetësh. Di se do ta ndiesh edhe ti.

Të dëshiroj lumturi të madhe këtu. Nuk kam ndier ndonjëherë vetminë që disa presidentë kanë përshkruar.

Do të ketë momente të vështira, të bëra më të vështira nga kritika që ti ndien se nuk është e drejtë. Unë nuk jam ai që mundet më së miri të të japë këshilla; por mos lejo që kritikët të të dekurajojnë apo të shtyjnë jashtë rrugës sate.

Do të jesh presidenti ynë kur ta lexosh këtë pusullë. Ta dëshiroj të mbarën. Ia dëshiroj familjes sate të mbarën.

Suksesi yt tash do të jetë suksesi i vendit tonë. Unë do të jem përkrahës i fortë yti.

Me fat,

George

Bill Clintoni do ta ruajë në kujtesë këtë shënim, dhe do ta përkujtojë ditën kur vdiq paraardhësi i tij, duke u shprehur se letra e tij ishte e një atdhetari dhe njeriu të ndershëm e të nurshëm, i cili besonte thellë në Kushtetutën dhe shtetin amerikan. Ditën e fundit të presidencës së tij, do t’ia shkruajë letrën pasardhësit, George W. Bush:

I dashuri George,

Sot nisesh në rrugëtimin më të madh, me nderim më të madh që mund t’i bjerë një qytetari amerikan.

Si unë, ti je veçanërisht me fat t’i prish vendit tonë në kohë të ndryshimeve të thella dhe në shumicë pozitive, kur pyetjet e vjetra, jo vetëm rreth rolit të Qeverisë, por rreth vetë natyrës së shtetit tonë duhet të marrin përgjigje të sërishme.

Ti i prin një populli të dinjitetshëm, të drejtë e të mirë. Dhe prej kësaj dite do të jesh president i të gjithë neve.(…)

3.

Tradita vazhdoi edhe në kushte më të acaruara.

Tetë vjet më pas, George W.Bushi ishte një prej presidentëve me më pak popullaritet në historinë amerikane. Ishte në krye të dy luftërave, Afganistan e Irak, kundër të cilave qe shumica e opinionit publik amerikan dhe pjesë e madhe e botës. I humbi zgjedhjet nga një kandidat që pakkush priste se do të fitonte, mes të tjerash edhe për shkak të ngjyrës së tij të lëkurës, Barack Obama. Zgjedhjet qenë të polarizuara, por fitorja e presidentit Obama qe shenjë e një arritjeje të madhe morale e politike të shoqërisë amerikane.

Në këto kushte, presidenti Bush, që ishte ballafaquar me një fushatë të fortë negative kundër tij, ndonëse nuk ishte kandidat për zgjedhje, i shkroi pasardhësit, ditën kur do të largohej nga Shtëpia e Bardhë:

I dashuri Barak,

Urime që u bëre presidenti ynë. Vetëm sa ia ke filluar një kapitulli fantastik në jetë.

Shumë pak njerëz kanë pasur nderin të njohin përgjegjësinë që e ndien ti tash. Shumë pak dinë ngazëllimin e këtij momenti dhe të sfidave me të cilat do të ballafaqohesh.

Do të ketë momente sprovuese. Kritikët do të pezmatohen. “Miqtë” tuaj do të të dëshpërojnë. Por, do ta kesh një Zot të gjithëfuqishëm që të ngushëllojë, një familje që të do dhe një shtet që angazhohet për ty, duke më përfshirë edhe mua. Çfarëdo që të vijë, do të jesh i inspiruar nga karakteri dhe mëshira e popullit të cilit ti tash i prin.

Zoti të bekoftë!

Sinqerisht, George

4.

Në tavolinën e Albin Kurtit duhej të kishte qenë letra e shkruar me dorë. Në të duhej të ishin këto fjalë:

I dashur Albin,

Ditët që fillojnë me këtë të sotmen nuk do të jenë të lehta. Çdonjëra do të jetë më e vështirë se tjetra; punët e shtetit janë të këtilla, janë një pus i pafund.

Jam i bindur që ke ide dhe energji të madhe për t’i zbatuar ato. Megjithatë, ndonjëherë vetëm kaq nuk mjafton, sepse sfidat që e presin vendin tonë janë edhe më të mëdha se ç’janë mundësitë e një Qeverie.

Të dëshiroj sukses në qeverisje; aty ku punët janë më të mëdha se ç’janë mundësitë e një Qeverie, llogarit në ndihmën time personale dhe të partisë sime. Çdoherë që kemi të bëjmë me interes shtetëror do të jem aty për të ndihmuar.

Kur të dëgjosh vërejtje e kritikë prej meje, dije se këtë nuk e bëj, sepse po e bëj formalisht rolin e opozitarit. Dije se këtë po e bëj nga bindja ime, e partisë sime dhe nga interesi i Kosovës, i cili duhet të mbrohet me fuqinë mbikëqyrëse e korrigjuese të opozitës.

Ty dhe familjes ju uroj shëndet e harmoni.

Sinqerisht,

Ramushi

Në tavolinën e Vjosa Osmanit duhej të kishte qenë letra me këtë përmbajtje:

E nderuara Vjosa,

Desha me anë të kësaj pusulle të të uroj mirëseardhje në këtë zyrë të veçantë. Të jesh kryetare e Kuvendit nuk të bënë vetëm me një post të rëndësisë protokollare, të jep nderin që e ka pakkush në këtë vend, që të përpiqet të përbashkojë mendimet e ndryshme shoqërore e politike në një institucion që e kishte emrin domethënës shqip edhe pa e pasur institucionin e Parlamentit-Kuvendit.

Kam shpresë e besim se me energjinë e talentin tënd do të bësh përpjekje të na mbledhësh e të kuvendojmë, për të mirën e këtij vendi.

Unë do të jem një zë i fortë opozitar, ashtu si e tërë partia ime. Besojmë se vetëm me mbikëqyrje të fortë e korrigjim të veprimeve të pushtetit mund t’i ndihmojmë vendit. Po ashtu besojmë, dhe për këtë shpreh gatishmërinë time të pakushtëzuar, që kurdo e kudo të ketë nevojë unë dhe partia jonë më e madhe opozitare t’i vihemi në dispozicion ndërtimit të konsensusit për nevoja të vendit tonë.

Të priftë e mbara, sepse e mbara në këtë detyrë është mbarësi për të gjithë ne.

Me respekt,

Kadriu

5.

Thuhet se letrat duhej të kenë qenë aty diku. Ndoshta gjenden ndonjërën prej ditëve. Ndoshta jo.

Ndoshta këtë do ta mbajnë në mend këta që sapo e morën pushtetin. Do të mbajnë mend se nuk i prisnin letrat. Dhe kurdo që të ndërrohet kjo garniturë që sapo e mori pushtetin do të mbajë mend ditën, sado e largët apo jo të jetë ajo, që në tavolinën e punës pasardhësi do pritur me fjalë që vendosin lartësinë e standardit të shërbimit për vendin.