Një 47-vjeçar shqiptar është dënuar në Britaninë e Madhe pasi u kap duke shpërndarë drogë. Ilir H. u ndalua nga policia muajin e kaluar teksa po mundohej të hidhte nga makina sasinë e kokainës, vlera e të cilës shkonte deri në 2.000 Paund.
Ai kishte rënë në vëmendjen e autoriteteve pas survejimit që këta të fundit i bënin një shtëpie, ku dyshonin se ishte pikë bandash për shitjen e drogave të klasit A. Ilir H., sipas mediave angleze, ishte parë të dilte nga një makinë tip “Passatt”, t’i afrohej një makine të parkuar dhe të linte diçka në krahun e shoferit.
Më pas një grua doli nga shtëpia dhe mori pakon. Pas këqyrjes së kamerave të sigurisë, “Passatti” kishte bërë udhëtime të shpeshta në zonë mes Dhjetorit dhe Janarit. 47-vjeçari pranoi fajësinë e posedimit të kokainës me qëllim shpërndarjen.
Avokati i tij, John Upton, tha gjatë seancës gjyqësore se klienti i tij ishte një person me nënshtetësi shqiptare dhe italiane, i cili ka shkuar në Britani 2 vjet e gjysmë më parë.
Fillimisht ai ka punuar si korrier dhe në një lavazh, por në fund të 2019-s humbi të dyja punët, çka e detyroi t’i futej punës së jashtëligjshme. Gjykata e Swindon e dënoi atë më 28 muaj burg.