Cili është Evi Spaho? Një shqiptar që ka spikatur dhe ka mahnitur turistët që kanë vizituar restorantin e tij në Karolinën e Jugut në Amerikë. Një histori interesante e një shqiptari që pas shumë peripecive arrin të realizojë ëndrrën e tij, ka marrë vëmendjen e revistave të Karolinës së Jugut.
Ja si e përshkruajnë suksesin e këtij shqiptari revistat në Karolinën e largët:
“Evi Spaho lindi në Shqipëri, një vend shumë i vogël në Evropë, ndërsa vendi ishte në mes të komunizmit të ashpër. Jeta ishte e vështirë dhe familja e tij ishte shumë e varfër. Evi kishte blerë këpucët e tij të para kur ishte vetëm katër vjeç.
Duke u rritur, ai gjithmonë ëndërronte të shkonte në Amerikë. Ai nuk kishte asnjë ëndërr tjetër përveç se të shkonte në një vend ku mund të punonte shumë dhe të arrinte ëndrrën amerikane. Kur Evi mbushi 18 vjeç, gjeti mënyrën dhe mbërriti në Amerikë, duke patur me vete vetëm rrobat në shpinë.
Evi fillimisht qëndroi në Salsbury të Karolinës së Veriut, aty filloi një punë në një restorant i cili po rikontruktohej ku shtroi pllakat. Pronari i këtij restoranti e pëlqeu aq shumë Evin, sa që pas 6 muajsh promovoi Evin si menaxherin e restorantit të tij. Ai ishte vetëm 18 vjeç dhe restoranti të cilin duhej të menaxhonte ishte me kapacitet 350 vende dhe Evi jo vetëm që mësoi shumë gjëra por lulëzoi.
Herë pas here ai shkonte në Myrtle Beach, një zonë bregdetare pas të cilës u dashurua dhe pas 5 vjetësh vendosi të transferohet në këtë zonë.
Evi e kishte shumë të vështirë të gjente punë në fillim. Ai punoi në disa restorante të ndryshme të Myrtle Beach. Pas shumë vështirësive për të gjetur punë u përpoq të ringrinte punën në një restorant që ishte duke dështuar. Ai filloi ta menaxhonte këtë restorant dhe pas disa kohësh arriti ta kthente në një vend të dashur për klientët. Ai përmirësoi gjithçka, duke filluar nga cilësia e ushqimit deri tek pastërtia e kuzhinës, rritja e cilësisë së shërbimit dhe menaxhimit të klientëve.
Restoranti u bë shumë i suksesshëm, dhe klientët e tij ishin absolutisht të kënaqur.
Më pas Evi vendos të ndërtojë restorantin e tij të cilin e quajti “Grill Blueberry”. Si kuzhinier dhe menaxher i Grill Blueberry, Evi është krenar që ka restorantin e tij të cilin e ka ndërtuar me shumë mund nga e para.
Ndërsa Blueberry’s Grill i shef Evit i tejkaloi të gjitha restorantet e tjera të Myrtle Beach gjatë Verës së vitit 2019. Ai ka vetëm 2 vite që është hapur dhe ndodhet në krye të restoranteve më të pëlqyer të zonës.
Shef Evi preferon të përqendrohet në ushqimin cilësor dhe kënaqësinë e klientit. Përulësia e tij është diçka që duhet të marrë shembull çdo amerikan”.