Fotaq Zaharia ndërroi jetë sot në moshën 64-vjeçare në ambientet e Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza, ku dhe ishte shtruar për shkak të problemeve me frymëmarrjen.
Por jeta e tij ka kaluar thuajse e gjithanë qelitë e burgjeve në Shqipëri. Zaharia ishte një ndër protagonistët e përplasjeve me armë zjarri në vitet më të mbrapshta të vendit tonë, 1997-1999.
Ai kishte marrë dhe pseudonimin si i ‘forti’ i Vlorës për shkak të grabitjeve dhe pengmarrjeve që ka kryer në ato vite. Fotaq Zahariau prangos, por edhe pse ndodhej në masën e sigurisë “arrest me burg”, për veprat penale “vjedhje” dhe “rrëmbim personash me qëllim përfitimi”, u arratis nga dhomat e paraburgimit të Komisariatit të Policisë së Vlorë bashkë me Ermir Habilin, Armando Begën e Haxhi Hoxhën.
Pas arratisjes, ai u kthye në tmerrin e Vlorës dhe prokuroria arriti t’i provonte akuzën e grabitjes me armë, pengmarrjen e gruas së një biznesmeni në Vlorë dhe “vrasjes me paramendim”, mbetur në tentativë ndaj shefit të krimeve në Vlorë, Gentian Musabelliut.
Fotaq Zaharia u prangos në banesën e vjehrrës së tij në Vlorë, në janar të vitit 2007, operacion gjatë të cilit mbeti i plagosur në njërën këmbë pas përplasjes me armë zjarri me efektivët e Policisë së Shtetit. Por gjithashtu, la të plagosur dhe shefin e krimeve në Vlorë në atë kohë, Gentian Musabelliu.
Nën kushtet e arrestit, ai iu nënshtrua ndërhyrjeve spitalore për plagën në këmbë, por nuk u rikuperua plotësisht. Madje kjo gjë i shkaktoi dhe paralizë të këmbës gjatë viteve, gjë që shihet dhe në një nga fotot e fundit, kur është paraqitur në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku dallohet që mban paterica.
Në vitin 2015, Gjykata e Krujës urdhëroi kryerjen e një ndërhyrje të dytë kirurgjikale pasi pjesa metalike e vendosur në këmbë po e dëmtonte. Moszbatimi i vendimit shkoi në Gjykatën e Strasburgut, dhe në vitin 2016, kjo gjykatë urdhëroi përkohësisht ekzekutimin e tij. Por çështja u zvarrit dhe vijoi në Strasburg, deri në korrik të vitit të kaluar, kur Zaharia u dëmshpërblye me 13 mijë euro.
Gjithashtu, përmes një rekursi në Gjykatën e Lartë, Zaharia pretendoi se “mbajtja në kushte çnjerëzore dhe degraduese, të papajtueshmërisë së gjendjes shëndetësore me burgimin, i rrezikon shëndetin dhe jetën”.