Tre ditë më parë në emisionin, “Historia ime” u bë publike historia e kampionit të boksit Klevis Çelaj.
Ai i përloti të gjithë kur tregoi se për titullin kampion kishte marrë vetëm 140 mijë lek të vjetra shpërblim dhe tani jetonte në kushte të vështira ekonomike.
Por, ditën e sotme, Klevisi ishte ftuar sërish në studion e emisionit dhe mori lajmin që do i ndryshojë jetën.
Në një lidhje telefonike, drejtori i Departamentit të Sportit në Vlorë, Viron Toska u shpreh: “Bashkia e Vlorës ka marrë të gjitha masat, që në të ardhmen Klevisi me porosi të kryetarit të Bashkisë, zotit Dritan Leli do të jetë pjesë e Flamurtarit. Sepse deri tani nuk ka qenë, ka qenë pjesë e Vllaznisë së Shkodrës. Duke u futur në buxhetin e ri do të jetë pjesë e Flamurtarit dhe do të marrë një pagë maksimale si të gjithë kampionët që janë në klub”
I pyetur nga moderatorja sa do marrë Klevisi nga Flamurtari dhe Bashkia, Toska tha se me vendim të këshillit të ministrave shuma është 62 mijë e 500.
Mirela Milori: 62 mijë? Pra 600 mijë lekë të vjetra?
Viron Toska: Po, në muaj!
Klevisi i emocionuar u shpreh se paratë e para që do të marrë, do t’i përdorë për të rregulluar shtëpinë e tij.