Jean Pierre Adams është sot 73 vjeç dhe 39 vitet e fundit të jetës së tij i ka kaluar në koma, por në vitet ’70 ka qenë një nga qendërmbrojtësit më të mirë të futbollit francez.
Një neglizhencë mjekësore gjatë një operacioni në gju bëri që ai të jetë në koma prej pothuajse 4 dekadash. Më 17 mars 1982, Adams do të bënte një ndërhyrje kirurgjikale pas këputjes së ligamenteve të gjurit. Pak para operacionit, ai foli me gruan e tij për ta qetësuar: “Po më bëjnë gati. Pas pak do të vijë anestezisti”. Ato ishin fjalët e fundit të tij.
Organizmi reagoi keq ndaj anestezisë, mushkëritë iu kontraktuan dhe truri pati mungesë oksigjeni.
Futbollistit që luajti 22 ndeshje me kombëtaren e Francës dhe dy sezone me PSG i qëndron pranë gruaja e tij, Bernadette Adams, e cila nuk i ka humbur ende shpresat që Jean Pierre Adams do të dalë nga koma një ditë.
73-vjeçari mund të marrë frymë dhe të hajë pa ndihmën e mjekëve, por është i paaftë të komunikojë.
“Njerëzit në Facebook më thonë që t’i heq makinerinë që e mban gjallë, por nuk ka fare makineri. Mua nuk ma bën zemra që mos ta ushqej më. Ai ka një rutinë si çdo njeri normal. Është në gjendje vegjetative, por mund të dëgjojë dhe mund të qëndrojë në karrige me rrota”, shprehet gruaja e tij për “The Sun”.