Përparim Zaimi në një studim shkencor për UFO-t që kanë zbritur në territorin shqiptar. Tomorri, “vendi i Perëndive” ose mbartësi i realiteteve të përmasave të tjera të universit. Objektet e rralla të gjetura në ekspeditën shkencore. Tre gjurmët e njëjta në tyrben e Tomorrit, tyrben e Krastës, dhe tek Qafa e Nishanit. Harta ku shënohet kontinenti i Atlantidës
Nga Leonard Veizi
UFO-t janë zbritur edhe në Shqipëri. Për këtë ai ka bindje të plotë dhe të patundur. E për t’i shkuar deri në fund këtij “trilli” ka filluar një kërkim shkencor që prej vitit 1999, ku ka sistemuar dëshmitë e para, për të arritur në kulmin e punës së tij në vitin 2005 me disa zbulime objektesh shumë të çuditshme. Që nga ky çast, Përparim Zaimi, dikur një kapiten i lundrimeve detare, ka krijuar bindjen e thellë se pelegrinazhi i njerëzve në malin e Tomorrit, bëhet pasi ky vend është eksploruar nga jashtëtokësorët. Duke qenë një njohës i mirë i astronomisë detare Përparim Zaimi sjell për të gjithë ata që kanë një kuriozitet të tillë mjaft fakte interesante. Legjenda të cilat në themel kanë realitetin, që i paraqiten lexuesit në formën e mesazheve të gurkyçit, e që jo kushdo mund t’i deshifrojë, ashtu sikundër ka arritur autori t’i shpjegojë duke u bazuar në fakte konkrete dhe studime të hollësishme. Zaimi shprehet se sistemi fetar në tërësi është ndërtuar mbi bazën e besimit, pra pranimi i asaj që është dëshmuar dhe shkruar në librat e shenjtë si të vërteta absolute dhe realisht ne mundemi të vërtetojmë disa prej tyre si pasqyrim fenomenesh që përputhen me ekzistencën e realitetit objektiv. Për më tej, gjatë një interviste kapiten Zaimi rrëfen përvojën e tij të jashtëzakonshme në zbulimin e vendqëndrimit të jashtëtokësorëve në atë pjesë të tokës që quhet Shqipëri.
Ju keni dyshime se UFO-t kanë zbritur edhe në territorin shqiptar?
Unë nuk kam dyshime por kam krijuar bindjen se Shqipëria është vizituar nga civilizimet të tjera teknologjike, shumë më të avancuara nga civilizimi ynë. Madje në fund të studimit që kam realizuar, kam arritur në konkluzionin që civilizimi ynë është mbjellja e atij civilizimi që na ka ardhur nga një planet tjetër. Pra në jemi krijesa të atij Krijuesi.
Njeriu i parë në tokë ka qenë i klonuar?
Nuk di të them llojin e teknologjisë që kanë përdorur ata në këtë fushë të gjenetikës, por natyrisht që ka qenë një teknologji shumë-shumë e përparuar. Pra unë kam krijuar bindjen se ne jemi produkt i tyre.
Mbi çfarë bazash e mbështesni këtë?
Padyshim që ka shumë argumente që e mbështesin këtë lloj hipoteze. Unë si referencë kam marrë evidencat fizike, prova materiale që janë makete apo modele të anijeve hapësinore të cilat i përkasin një civilizimi tjetër. Këtë unë e mbështes edh enë faktin që i kam studiuar një pjesë të mirë të dëshmive që janë dhënë rreth UFO-ve të cilët kanë vizituar planetin tonë. Nga modelet që unë vetë zbulova dhe disponoj, arrij në konkluzionin që mbi 90% e tyre i takojnë të njëjtit civilizim teknologjik. Dhe kjo ka shumë rëndësi, pasi dhe modelet janë lënë po nga i njëjti civilizim që ka vizituar në kohë dhe viziton edhe sot e kësaj dite planetin tonë.
Çfarë konkretisht keni gjetur në zonën e Tomorrit ku ju keni bërë kërkimet tuaja?
Kam gjetur modele anijesh specialet të gdhendura në gur. Por dua të them se nuk kemi të bëjmë me një gur të zakonshëm. Më është krijuar ideja e aliazheve që janë mjaft të mbrojtura. Këto objekte janë gjendur në vende që vështirë se mund të gjendeshin edhe po të mobilizoheshin disa ekspedita botërore. Probabiliteti është shumë i madh e sipas përllogaritjeve të mija është një në një trilion. Mund të shpenzoheshin miliona dollarë e sërish këto të mos gjendeshin. Unë këtë zbulim, përveç dëshirës e pasionit tim për t’u marrë me këtë punë, ia dedikoj asaj që ne e quajmë rastësi. Por rastësia është indikacion i një krijese tjetër, e Krijuesit, pra i atij që ne e quajmë Zot. Në fakt Zoti për mua nuk është ai që mendojmë. Kurani dhe Bibla që unë i kam marrë si referenca janë dy libra të mëdhenj, por që përmbajnë të vërteta shkencore. Mbi to mund të bëhet dhe zbërthimi i vizitave të jashtëtokësorëve. Në një nga modelet që kam gjetur është harta e botës. Në këtë hartë jepen të dhëna dhe mbi ekzistencën e Atlantidës dhe perandorin së Atlantëve.
Nga do t’ia fillonit punës suaj kërkimore-shkencore?
Në vitin 2009 ndërmora një pelegrinazh në malin e Tomorrit. Ekziston një legjendë që Abas Aliu ka ardhur me kalë dhe është vendosur aty. Këtë legjende unë e studiova dhe e pashë jo si një ngjarje mistike. Kisha dëgjuar për gjurmën e Abas Aliut dhe këtë herë vendosa ta shikoja e ta fotografoja. Kur u ngjita për në teqenë ku kryheshin ritet, i kërkova një kushëririt, tim i cili më shoqëronte, që të më çonte tek gjurma. Mbasi mbaruam ritin në teqenë e Kulmakut, së bashku me bashkëshorten të cilën e kisha marrë me vete, zbritëm faqen e malit dhe u ndodhëm pranë tyrbes së ngritur në nderim të shenjës së Abas Aliut. Ishte hera e parë që e vizitoja atë vend. U futëm në tyrbe. Gjurmës i bëra disa fotografi nga pozicione të ndryshme. Ndërkohë që fotografoja realizova mendimin që ajo gjurmë mbarte një histori, një fenomen të veçantë. Vura re që nuk kishte të bënte fare me gjurmën e këmbës së Abas Aliut apo kalit të tij. I emocionuar dola nga tyrbja. Pasi u ktheva në shtëpi i hodha fotot në kompjuter dhe fillova t’i studioj e të bëj deshifrimin e tyre.
Gjurma e Tomorrit është e vetmja e këtij lloji në Shqipëri?
Në fakt jo. Një ditë bashkë me djalin tim dhe një ish pedagogun tim Daut Hoxhën shkuam në Krujë dhe vizituam një vend të shenjtë, tyrben e Krastës. Dauti më kishte vënë në dijeni se në Krujë ndodhej një gjurmë tjetër me të njëjtin shenjtor e legjendë. Djali im më ndihmoi të bëja fotografi me cilësi. Me të mbërritur në shtëpi bëra krahasimet në kompjuter me gjurmën e Tomorrit. Konstatova se ishin të ngjashme. Ndërkohë një gjurmë e tretë ndodhet në Dosovec të Beratit tek Qafa e Nishanit, të cilën arrita ta realizoj më 11 qershor 2011 me ndihmën e avokatit Ilir Malindi. Trekëndëshi që formojnë tre gjurmët më tërhoqi vëmendjen dhe supozova se në qoftë se në konstelacionin Pegasus do të gjej një figurë gjeometrike të ngjashme me këtë trekëndësh, atëherë trekëndëshi Tomorr-Krujë-Qafa e Nishanit është gjurmë, projeksion i trekëndëshit sferik që formohet në konstelacionin Pegasus dhe autorët e vërtetë të këtyre gjurmëve janë jashtëtokësorët, pra gjurmët orientuese të një civilizimi tjetër teknologjik.
Ju keni vepruar vetë apo keni pasur dhe asistencë nga specialistë të huaj të ufologjisë?
Për gjithçka unë jam konsultuar me informacionin e hapura të NASA-s, të cilat këto vitet e fundit kanë qënë shumë të zgjeruara. Ndërsa gjatë një qëndrimi në SHBA në qershorin e vitin 2010, kontaktova me një profesor të universitetit Shtetëror të Xhorxhias, historian, filozof, ateist e producent dokumentarësh. Dr. Anthony Clarke Veines, i cili pasi lexoi punimin tim në anglisht mbeti shumë i kënaqur dhe më propozoi që nëse kërkoja që këtë punim ta ktheja në dokumentar ai do ta realizonte me kënaqësi.
Shteti shqiptar ka dosje të veçanta për ufologjinë?
As që bëhet fjalë. Janë shtete të fuqishme si SHBA, Britania e Rusia që kanë departamente të veçanta që merren me ufologjinë. Shqipëria nuk ka asnjë dosje lidhur me këtë çështje.
Libra të botuara nga Përparim Zaimi
Mali i gdhendur mbi një anije hapësinore
Objektet e rralla të gjetura në rajonin e Tomorrit, tanimë janë në duart e tij. Duke iu referuar zbërthimit të tyre Përparim Zaimi shpjegon: “Po të shikojmë foton konstatojmë se ajo përfaqëson një model të një anije fluturuese hapësinore me të cilën jashtëtokësorët kanë mbërritur në planetin tonë dhe konkretisht janë ulur në malin e Tomorit në Skrapar. Modeli i zbuluar në vitin 2005, botohet për herë të parë. Në pjesën e sipërme të këtij modeli të anijes hapësinore është skalitur në mënyrë mjeshtërore një pamje, që është ajo e malit të Tomorit. Me ndihmën e instrumenteve zmadhuese vërehen mjaft qartë konturet dhe bimësia e këtij masivi malor që siç thonë dhe legjendat e vjetra ka parë shumë ngjarje që kanë ndodhur. Dallohen qartë jo vetëm pjesa e pyllëzuar, por dhe ajo pjesë e zhveshur nga pyjet, ashtu siç mund të shikojmë dhe sot po ta vështrojmë nga maja e malit në Çukën e Abas Aliut. Pra pozicioni i paraqitjes së Tomorrit është një pamje nga sipër e tij. Në qoftë se i referohemi përcaktimit të ufologëve, forma e diskut është i një tabakaje ose “saucer shape”. Modele të ngjashme për nga forma janëshikuar e raportuar nga observues të ndryshëm”
Tomorri, vendi mistik i perëndive
Përparim Zaimi thotë se punimi i tij nuk bazohet në ndonjë sistem besimi, por të lë të kuptosh se fenomenet janë argumentuar mbi bazën e një realiteti të studiuar mirë dhe me kompetencë të plotë profesionale dhe shkencore: “Unë di saktësisht nga dëshmi të sigurta dhe disa burimesh se pranë malit të Tomorrit, në fshatin shumë pranë tij, janë vërejtur fenomene dhe ndodhi reale të çuditshme dhe misterioze deri tani. Që mali i Tomorrit është mali ku qëndrojnë Perënditë, mendoj se nuk qëndron më në kufijtë e legjendave dhe hipotezave, por fatmirësisht po konfigurohet si një realitet objektiv. Mali i Tomorit dhe mjedisi përreth është i njohur për mbajtjen e vlerave ideale, jashtë tokësore, mistike, vendi i perëndive. Të gjitha këto etiketime dhe vlerësime të bëra në kohë të ndryshme nuk mund të jenë thjeshtë pjellë e fantazisë popullore, e legjendave e besëtytnive dhe e riteve dhe traditave që rrjedhin nga mosnjohja e fenomeneve në të kaluarën historike, ato përmbajnë diçka të vërtetë që lidhet me konstatime dhe vrojtime në kohë të ndryshme të zhvillimit të shoqërisë dhe që njerëzit me nivelin e zhvillimit të shkencës dhe mendimit nuk kanë qenë në gjendje me interpretimet e tyre të shpalosin realitetin e mirëfilltë që fshihet pas tyre. Por ata i kanë ruajtur e transmetuar mjaft mirë brez pas brezi”.
Zbuluesi i UFO-ve “shqiptare”
Studimi i kryer prej tij, në fushën e ufologjisë, ka kapur një distancë kohore prej të paktën 15 vitesh, ndër të cilat janë ndërmarrë disa ekspedita. Gjithçka vetëm për atë që ka ndodhur në territorin shqiptar, këtu e qindra vite më parë. Përparim Zaimi ka kryer studimet e larta në degën e Navigacionit dhe është diplomuar në Vlorë si Navigator për Flotën Detare Tregtare. Ka ndjekur studimet për degën Inxhinieri mekanike. Përfundon studimet në Filozofi. Është njohës i disa gjuhëve të huaja si anglisht, italisht, rusisht. Është autori i disa studimeve në fushën e peshkimit si ndërtimi i hartës së parë të relievit nënujor të detit Adriatik dhe Jon. Gjatë karrierës së tij profesionale ka kryer detyra të larta në administratën shtetërore për një kohë të gjatë si Kryetar Dege, dhe Drejtor i Drejtorisë së Peshkimit në Ministrinë e Industrisë së Lehtë dhe Ushqimore. Drejtori institucionesh administrative, projektues dhe këshilltar i ministrit.
Leonard Veizi