(Shkëputur nga shkrimi “Gjuetarët tepelenas”)
Një tjetër kujtim nga më të veçantët për atë kohë, ngelet edhe ajo ceremonisë së përcjelljes së trupit të “Çapit”, qeni memaliot, që u përcoll me nderime në diktaturë për në banesën e fundit, një fakt ky që mund të jetë nga të vetmit, jo vetëm në sistemet diktatoriale, por edhe në ato demokratike nëpër botë.
“Çapi” ishte një qenë, jo vetëm i talentuar për gjuetinë e lepujve, por edhe shumë i zgjuar, pasi kishte mprehtësi për të kuptuar dhe komunikuar, jo vetëm me të zotin e tij, por edhe me ata që kujdeseshin më shpesh për atë. Ishte shumë i dashur dhe besnik. “Çapi”, ishte i gjuetarit. Alem Kanani. “Çapi” mbahej për një nga zagarët gjuetarë më të mirë për të gjuajtur lepujt, jo vetëm në Memaliaj dhe rrethin e Tepelenës, por edhe më gjerë. Nëse në atë kohë do të krahasohej për nga aftësitë, ndoshta mund të ishte edhe nga më të veçantit, jo vetëm në vend, por edhe nga jashtë kufijve tanë!
Kishte aftësi të veçanta, pasi ia nxirrte lepurin, gjuetarit përpara syve dhe shumë afër, për ta qëlluar me çifte. “Çapi” ishte aq i aftë, saqë në shumë raste, i kapte lepujt dhe ia çonte në duar, gjuetarit, Alem Kanani. Për “Çapin”, kujdesej shumë, jo vetëm Servet Kanani, i cili ishte djali i gjuetarit, por edhe memaliotët e tjerë, si: Fatmir Mema, Dilaver Murati, Albert Malka, Agim Ismailati, Ahmet Deshiku, Vladimir Goxha, Edmond Mema, Enver Selmani, Ferdinant llaka, Hysen Imeri, Agron Seiti, …etj, pasi zagarët e gjahut të këtij gjuetari, banonin në një nga vendet që u kishin ndërtuar të zotët kujdestar, në periferinë e qytetit, buzë Vjosës, nga krahu i “Ofiçinës së Minierës”, që ishte ndërtuar në periferi të qytetit.
Edhe pse isha më i vogël, kam patur fatin që të luaja edhe unë me “Çapin”, duke e përkëdhelur, herë unë dhe herë të më përkëdhelte ai, pasi kishte raste që bëhesha pjesë e shoqërisë së këtyre memaliotëve, nga ana e tim vëllai, Agimit.
Në një nga netët e atij sistemi, policia kishte dalë për të vrarë zagarët, që dilnin në orët e vona nëpër rrugët e qytetit. Një prej këtyre policëve të ligjëruar apo atyre “policëve” vullnetarë, padrejtësisht, i mori jetën edhe “Çapit”. Të gjithë ata që e njihnin dhe kishin dëgjuar për “Çapin”, u hidhëruan po aq shumë, sa familja ku bënte pjesë edhe prezenca e tij, por edhe emrat e këtyre memaliotëve që lartpërmenda, ku bëjë pjesë dhe unë. Mes hidhërimit të madh, këta memaliotë e gjetën trupin e pajetë të “Çapit”, që punëtorët e komunales e kishin hedhur në pjerësinë e buzës së lumit Vjosë, midis kufirit të rivierës së “Hakes” dhe të “Arganellës”; dhe e morën për ta përcjellë me nderimet më të mëdha të kohës; për nga kushtet dhe kufizimet, që të detyronte ai sistem diktatorial.
Mbaj mend që e kemi marr dhe e kemi futur në një arkivol të sajuar me arkat e ambalazheve ushqimore të asaj kohe, të marra nga të hedhurat e NFP-së (Ndërmarrja e Furnizimit të Punëtorëve). Arkivoli u mor mbi një tezgë, nga ato që përdoreshin në sektorin e ndërtimit dhe e kemi çuar në një vend tjetër buzë Vjosës, midis “Arganellës” dhe “Vajës”, ku më të rriturit e zgjodhën për vendprehje të përshtatshme, shumë afër një rrapi të vjetër në moshë, por të shëndetshëm. “Çapi”, ashtu i heshtur në dukje, por fisnik, dukej sikur po flinte dhe do çohej nga çasti në çast. Pasi iu vendos kapaku i arkivolit, që do ta kufizonte dhe hermetikoste trupin e tij nga kaltërsia e qiellit dhe drita e diellit, por edhe prej syve tanë plotë dëshpërim, por jo shpirtin e tij të lirë, që padyshim do jetë mishëruar, në një trup apo krijesë tjetër.
Mbaj mend, që në shenjë nderimi, janë hedhur për shpërthim disa kanaçe me karbit, të cilat fluturonin disa metra në lartësi, në vend të shpërthimeve të artilerive luftarake, ku jehona e shpërthimit të tyre, dhjetëfishohej nga akustika që u jepte lugina e Vjosës. Mbi kapakun e arkivolit u hodhën lule që gjendeshin përreth, disa cigare të lira dhe paketa të markës së kohës si; “Durrësi” e “Parrtizani”. Në shenjë nderimi, nga të gjithë, u mbajt për një moment, heshtjeje, por të shoqëruar me lotë nëpër sytë këtyre memaliotëve.
Në atë paradite, të një nga ditët e korrikut të nxehtë, kam qenë në pushimet verore, para se të hidhesha në filloren e klasës së katërt dhe kur pashë ata lot në sytë e tyre, kuptova se ata po përcillnin një krijesë fisnike, që u kishte dhuruar kujtimet më të bukura në këtë bashkëjetesë, të paracaktuar nga i madhi Zot. Pasi u përcoll dhe u mbulua trupi i tij, tek trungu i rrapit në krahë u gdhend emri “ÇAPI”. Këtë e filloi ta gdhendte Enver Selmani me një sopatë të vogël, e cila ishte e babait të tij dhe e përfundoi Albert Malka. Kjo u bë, që të mos harroj vendprehja e “Çapit”, pasi kjo e fundit ishte jo larg dhe në një drejtim me banesën e tij, ku u lind, u rrit dhe kaloi jetën e tij derisa iu morëjeta tragjikisht.
Nuk e solla këtë rast, as për luks dhe as për të shitur mend tek ata pak, që mendojnë si trumcakër, por për të treguar se ky është dhe ngelet një rast unikal në botë, aq më shumë, në një sistem ku nuk llogaritej fare, marrja e jetës së njeriut, me gjakftohtësinë më të thellë; por për të treguar kulturën dhe vlerat e pjesës tjetër më të madhe të memaliotëve, që ishin pro jetës dhe të drejtës së çdo krijese, që na kishte rënë në pjesë, në këtë bashkëjetesë të caktuar nga Zoti, që fatkeqësisht u përjetua e kufizuar dhe e diktuar nga diktatura.
Nëse sot, në jetën reale dhe demokratike të kësaj bote, duke e përjetuar nga ata që njohim apo mësuar nga mediat, të cilët kanë nderuar dhe nderojnë qentë e familjeve të tyre e deri tek ata shtetërorë, me uniformë e grada ushtarake e policore, rasti jonë si bashkëqytetar, ka qenë dhe ngelet i veçantë në botë.
Sa herë që e kujtoj këtë gjest fisnik, aq më shumë më bënë krenar, pasi kur e kam ndarë me shumë të huaj, po aq shumë sa e kanë dënuar ekzekutimin e “Çapit”, nga policia e atij sistemi, po aq edhe i kanë e vlerësuar nderimet njerëzore që i kemi bërë kësaj krijese inteligjente, e cila, nëse do të ishte në gjendje të fliste, do të kishim mësuar shumë nga universi i tyre shpirtërorë.
Ky funeral, nëse do të binte në veshët e sigurimit të shtetit të asaj kohe dhe të merrej seriozisht, padyshim që do të përjetoheshin edhe përndjekjet e kohës, si për organizatorët dhe pjesëmarrësit; si përpjekje për zgjimin e një rebelimi ndaj sistemit diktatorial.
Padyshim që ka edhe nga ata, që duan të dinë më shumë detaje në lidhje me ekzekutimin e Çapit, të cilat nuk i përfshiva më lart. Këto të dhëna i japin një pasqyrim më të plotë rrethanave që e çuan në krijimin e asaj atmosfere vrasëse, që i mori jetën Çapit, të cilat do i sjellë në vazhdim:
Nisur nga harbimi i qenve të fshatit të Memaliajt që shtrihet në kodër, harbim ky që ndodhte më shumë, në ditët shumë të nxehta të korrikut, ata lëshoheshin poshtë në qytet, jo vetëm natën, por edhe ditën! Qentë ishin shumë të fortë, pasi ishin të racave që përdoreshin për të mbrojtur stanet. Kishte kohë që memaliotët ishin të shqetësuar për rrezikshmërinë e tyre, por edhe pse policia u kishte bërë njoftime fshatarëve, ata nuk i mbanin të lidhur.
Përgjatë ditës, nuk mund t’i asgjësonin, arsyeja ishte se banorët gjendeshin gjithandej në terren. Si e tillë, zgjodhën natën, duke vënë në dijeni edhe gjuetarët memaliotë, që t’i mbanin mbyllur qentë, pasi pas orës 22:00, do të vritej cilido qenë që do u dilte përpara. Nga ky njoftim, reaguan edhe banorët, për të mos dalë në orët e vona. Ishte viti i tretë që policia kishte ndërmarr fushatën në fjalë, duke ngritur grupe ekzekutuesish, ku bënin pjesë edhe gjuetarët, që i thërriste policia dhe i urdhëronte që të merrnin çiftet e tyre, për të qëlluar qentë.
Si fillim, gjuetarëve nuk u pëlqeu të merrnin pjesë edhe pse ishin të detyruar nga policia, por vendosën të shkonin, pasi vetëm kështu ishin më të qetë, për të shmangur çdo përballje me ndonjë qenë gjahu që mund të kishte ngelur pa u mbyllur në kolupet e tyre, pasi përveç gjuetarëve, policia kishte thirrur edhe disa nga ata veteranë lufte, që u lejohej të mbanin armë të markës “Belçikë”, në shtëpitë e tyre. Këto patrulla nuk operonin më shumë se 2-3 net. Në një nga këto netë të vitit të tretë të kësaj fushate, mori jetën e Çapit, por jo nga saçmat e gjuetarëve, por nga plumbat e të njëjtës pistoletë, që plagosi ushtarin tek kthesa, i cili ishte duke pritur makina rasti, për të shkuar në brigadën ushtarake, në Tepelenë.
Gjuetarët e fillonin patrullimin e tyre, gjysëm ore, para se të binte muzgu i mbrëmjes dhe këtë e bënin, nga shkolla dhe rrethinat e tyre, por dhe nga fusha e sportit, të cilat lokalizoheshin në periferinë e qytetit, jo shumë larg rivierës së lumit Vjosë. Preferonin periferinë, pasi jo vetëm të siguroheshin që zagarët e gjahut ishin mbyllur brenda nëpër kolupet e tyre, që u kishin ndërtuar në pyllin buzë lumit që u kishin ndërtuar, por ndiheshin edhe të ofenduar, nga detyrimi policorë, që u kërkonte të ktheheshin në gjuetarë qensh..!
Çapi u ekzekutua pas spitalit, në afërsi të rrugicës, përballë krahut tjetër të rrugës ku ka ende shtëpinë familja e Aristill Dones. Disa metra më tutje, më në thellësi të bllokut të shtëpive të para në Memaliaj, të cilat janë të gurta dhe të ulta, ndodhej posta e policisë.
Duhet të këtë qenë mesi i natës, kur grupi me policinë dhe dy gjuetarët, u përballën me Çapin, i cili po përtypte ushqimin që sapo e kishte gjetur përtokë midis dy kazanëve që komunalja i kishte lokalizuar.
Polici do jetë detyruar ta qëllojë, pasi gjuetari ka hezituar, ngaqë nuk mund të qëllonte ndaj një krijese fisnike që atyre u ka shërbyer aq shumë, saqë këta gjuetarë i mbanin të flinin edhe në shtëpitë e tyre, kur bënte shumë ftohtë.
Çapi ishte i vetmi qenë gjahu që përballej dhe ndeshej me qentë e racave të tjera të forta, siç ishin qentë e oborreve të fshatrave përreth, të cilët kishin zhvillimin trupor, forcën dhe egërsinë e qenve që përdoreshin. për mbrojtjen e kopeve dhe staneve.
Nga Edmond Ismailati
Gusht, 2024