Shqipëria tashmë është kthyer në një destinacion investimi edhe për të huajt. Italiani Giuseppe Suverato tashmë ka ngritur biznesin e tij të prodhimit të verës në Hamallaj të Durrësit dhe prodhon rreth 17 000 shishe verë në vit.
Agjencia Telegrafike Shqiptare ka njohur nga afër historinë e Giuseppe Suverato-s, i cili prej vitit 2009 ka çelur kantinën e tij të verës në vendin tonë, por pas investimeve në zonë vitet e fundit, ai ka njohur një rritje të kërkesës, çka ka sjell dhe investimin prej 150 mijë euro në modernizmin e prodhimit të verës, duke trefishuar sasinë e verës së prodhuar.
Gjatë intervistës për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, Giuseppe Suverato, i njohur nga zona si “Pino”, kujdeset të nënvizojë se vera është natyrale falë dhe rrushit të zonës, që është i mrekullueshëm. Po ashtu ai saktëson se prodhimi i verës është një trashëgimi familjare, teksa nuk harron pa përmendur faktin se Kalabria, nga është ai me origjinë është shumë e ngjashme me Shqipërinë dhe ai ndihet si në shtëpinë e tij këtu.
“Im at ka qenë shtatë vite në Shqipëri. Ishte ushtar në Kepin e Rodonit. Duket se gjaku më thërret. Në Kalabri janë mbi 200 000 arbëreshë dhe unë jam një prej tyre. Ardhja ime në Shqipëri daton në vitin 1993. Jetoja Zvicër asokohe, ku punoja në aktivitetin e prodhimeve të materialeve për garazhe, me mjete të ndryshme mekanike. Një ditë në Budapest, Hungari, isha duke marrë pjesë në një panair, ku po ekspozoja produktet e kompanisë sime atje. Në hollin e panairit ishte një televizor, nga ku dëgjova se Shqipëria nuk jetonte më në diktaturë. Menjëherë më lindi dëshira ta vizitoj dhe të investoj në këtë vend që po dilte nga diktatura”,- tha Pino.
“Menjëherë telefonova aeroportin dhe bleva biletë për në Shqipëri. Me të zbritur në aeroport mora një taksi dhe u nisa drejt hotel “Dajtit”. Atje më këshilluan që të takohesha me përfaqësues të ambasadës italiane në Tiranë për t’u informuar se cilit ishin sektorët dhe vendet më të mira ku mund të investoja. Faktikisht ligjet nuk ishin të qarta dhe nuk m’u dha hapësira për të investuar. Njoha bashkëshorten time, që po studionte për mjekësi dhe me të sot kam dy fëmijë. Fillimisht u mora me prodhimin e salcës së domateve, por pa sukses. Ashtu siç rezultoi pa sukses dhe prodhimi i sallamit. Në fund origjina më thirri dhe duke trashëguar pasionin për verën nga im at dhe gjyshi im, nisa të prodhoj verë. Fillimisht për veten time dhe më pas për tregti, pasi zona e pëlqeu dhe të gjithë po më kërkonin verë”,- tha Pino.
Duke folur për transferimin në Hamallaj, ai tregon se ishte një mjek që u bë nismëtar. “Një miku im doktor punonte në Manëz. I kërkova informacion për zonën dhe nëse kishte ndonjë tokë që mund të blija për të investuar afër bregdetit. Ai më këshilloi Hamallajn dhe kështu bëra. Nusja ime u transferua këtu si mjeke dhe ne familjarisht erdhëm të jetonim këtu, ku dhe ndërtova kantinën”,- thekson Pino, i cili shpjegon me përpikmëri dhe procedurën e prodhimit të verës në kantinën e tij, ndërsa nënvizon se prodhimi është natyral, pa kimikate të shtuara. “Unë në fillim prodhoja deri në 5 000 shishe verë. Ndërsa sot deri në 17 000 shishe verë. Kjo dhe falë kërkesës që është rritur shumë vitet e fundit, çka më nxiti të investoj 150 mijë euro në modernizimin e kantinës së verës. Tani është hapur dhe plazhi këtu dhe shumë turistë ndalen për të marrë verë”,– tha Pino.
Djali i tij, Cristian Suverato, tregon se po studion për ekonomi, ndërsa thekson se do të vijojë dhe një kurs për enolog dhe këto njohuri dëshiron t’i vendosë në dispozicion të kantinës së tij. “E kam ndihmuar babain që kur kam qenë shumë i vogël. Fillimisht shikoja procedurën e prodhimit dhe nuk bëja ndonjë punë të madhe. Tani jam duke punuar këtu me kohë të plotë. Jam krenar që jam brezi i katërt që trashëgoj këtë pasuri të familjes sonë, të prodhimit të verës”,- thekson djaloshi i cili, rrëfen se si investimet në zonë kanë sjell dhe rritjen e kërkesës. “Tani me hapjen e plazhit, dhe një kompleksi këtu afër ka sjell një rritje të madhe të kërkesës”,- bëri të ditur ai.
Gisueppe Suverato është vetëm një nga shembujt e shumë investitorëve të huaj që kanë zgjedhur vendin tonë si destinacion të investimit të tyre, duke gjetur një treg joshës dhe mjaft të favorshëm. /ATSH