Pentagoni, kompleksi në formë pesëkëndore i zyrave që u bë selia e Departamentit të Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u inaugurua zyrtarisht më 15 shtator 1943.
Pentagoni është një ndërtesë e madhe prej 6 km2, nga të cilët 4 km2 përdoren si zyra, pjesa tjetër për shërbime të ndryshme dyqanesh, restorantesh, salla konferencash e etj. Brenda ndërtesës punojnë me mijëra civilë dhe ushtarakë.
Ndërtesa quhet Pentagon sepse ka 5 faqe anësore, 5 kate mbi tokë (2 nivele nën tokë), çdo kat ka 5 korridore unazë prej 28.2 km gjatësi. Pentagoni shtrihet në një territor prej 5 hektarësh. Pentagoni ka edhe një shesh qendror, i njohur jozyrtarisht si “ground zero” – tokë e shndërruar në asgjë, zero, 0, e djegur, e rrafshuar – emër nga koha e Luftës së Ftohtë kur mendohej se Bashkimi Sovjetik do të synonte të hidhte një ose më shumë raketa bërthamore në këtë shesh në rast të një lufte bërthamore.
Historia
Në verën e vitit 1941, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara mendonte se një përfshirje e pashmangshme në Luftën e Dytë Botërore ishte e mundshme, por Departamenti i Luftës u shpërnda në shumë ndërtesa në Uashington dhe sipas drejtuesve të lartë, nevojitej një seli e re, më e sigurt dhe më funksionale.
Kështu, një të enjte në korrik, gjenerali Brehon B. Somervell ngarkoi ekipin e tij të projektimit të projektonte një ndërtesë që mund të strehonte 40,000 njerëz, përfshirë një parkim për 10,000 makina dhe të ngrihej jo më shumë se katër kate, në mënyrë që të mos bllokonte pamjen e Uashingtonit. Dhe projekti i Pentagonit duhej të dorëzohej të hënën e ardhshme.
Vendi për të ndërtuar Pentagonin, ishte zgjedhur një copë tokë në periferi të Uashingtonit, që kishte kufij nga të pesë anët. Për këtë arsye, projektuesit vendosën ta modelonin atë sipas asaj zone, edhe nëse më pas preferonin ta zhvendosnin diku tjetër, jashtë kufijve të kryeqytetit të SHBA, në Arlington County, Virxhinia.
Forma pesëkëndëshe kishte disa avantazhe. Për shembull, duke lëvizur nëpër ndërtesë, distancat u bënë 30% deri në 50% më të shkurtra se sa do të ishin në një zonë drejtkëndore.