Histori Historia e zgjedhjeve shqiptare: Nga xhonturqit te 25 prilli

Historia e zgjedhjeve shqiptare: Nga xhonturqit te 25 prilli

E drejta e njerëzve për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur i ka fillesat e saj herët në historinë e njerëzimit. Greqia e Lashtë, e cila mendohet se ka zbatuar formën më të hershme të demokracisë, kishte një mënyrë të kundërt për të votuar nga ajo që aplikohet ditët e sotme. Ata shkruanin në copa vazosh të thyera udhëheqësin politik që donin të përjashtonin për 10 vitet e ardhshme nga politika vendase. Nëse një “kandidat” merrte më shumë se 6000 vota, atëherë ai largohej nga politika, të tjerët me më pak se kaq vota, mbeteshin.

Kjo mënyrë e të votuarit u ndryshua gjatë shekullit të 13-të nga shteti venecian që zbatoi “votimin e miratimit”. Në këtë lloj zgjedhjeje, votuesit japin një votë për secilin kandidat që ata e konsiderojnë të pranueshëm.

Sakaq në të gjithë rrjedhën e historisë, e drejta për të zgjedhur ka ndryshuar vazhdimisht në varësi të kohës, vendeve dhe regjimeve politike. E drejta e barabartë e të gjithë njerëzve për të votuar, ka qenë një nga çështjet më me rëndësi në të gjithë historikun e zgjedhjeve në botë. E drejta e grave apo dhe e njerëzve me ngjyrë, është siguruar vonë në shekullin e 20-të. Kështu në SHBA, e drejta e grave për të votuar u arrit në vitin 1920, ndërsa në Zvicër në 1970. Njerëzit me ngjyrë falë një Akti të të Drejtave të Votimit arritën të votonin në SHBA vetëm në vitin 1960. Ndërsa votimi që nis që nga mosha 18-vjeçare nisi të aplikohej në SHBA në vitin 1971.

Historiku i zgjedhjeve në Shqipëri, pas Pavarësisë

Përpjekjet e para për zgjedhje parlamentare, para formimit të shtetit shqiptar, nisin në kohën e sundimit otoman, ku në Parlamentin Turk, zgjidheshin deputetë nga katër vilajetet e Shqipërisë. Ndonëse nuk ishin zgjedhje direkte, por me përfaqësim, duke nisur nga viti 1906 – kur në fuqi erdhën Xhonturqit – shqiptarët kandidonin në grupime të ndryshme politike, duke u votuar për të qenë përfaqësues në Parlamentin Turk. Të tillë ishin deputetët Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Nexhip Draga, Esad Pashë Toptani etj. Kjo vazhdoi deri në kohën kur Shqipëria u shpall shtet i pavarur. Përgjatë një periudhe nga viti 1912 deri në vitin 1920, shteti shqiptar mjaft i brishtë dhe në fillesat e veta të para u ndesh me një sërë vështirësish, krizash dhe debatesh politike. Qeveria e Ismail Qemalit që u largua nga viti 1914, u pasua nga i dërguari i fuqive të mëdha, mbreti Vid, i cili i pasuksesshëm në punën e tij u largua po atë vit. Në një situatë kur zhvillohej Lufta e Parë Botërore, Shqipëria përpos rrezikut, përballej edhe me “vajtje-ardhje” qeverish jetëshkurtra, nga ajo e Turhan Pashës e deri tek e Sulejman Delvinës, më 1920.

1921

Zgjedhjet e para politike në Shqipëri u zhvilluan në fillim të vitit 1921 dhe përfunduan më 5 mars 1921. Këshilli i ri Kombëtar, që doli nga këto zgjedhje përfaqësohej nga dy grupime kryesore politike, Partia Popullore e udhëhequr nga Fan Noli dhe Partia Përparimtare nga Hoxhë Kadriu. Këshilli përbëhej nga deputetë, të zgjedhur nga 10 prefektura Berat, Dibër, Durrës, Elbasan, Gjirokastër, Korçë, Kosovë, Mat, Shkodër, Vlorë dhe Kolonia e Amerikës me vetëm një përfaqësues, Fan Nolin. Gjergj Fishta, Hilë Mosi, Mustafa Kruja, Luigj Gurakuqi, Ndre Mjeda, Mit’hat Frashëri, Seid Toptani, Osman Myderrizi, ishin vetëm disa nga personalitetet më të shquara, pjesë e këtij parlamenti. Mirëpo, të drejtën për të votuar në këto zgjedhje nuk e kishin të gjithë dhe ligji i kohës përcaktonte se: “Përjashtohen nga e drejta e votës, Sipas nenit 6: gratë. Sipas nenit 25: Fuqija e armatosur, komandantët, oficerët e ushtarët. Sipas nenit 1 dhe 8: burrat që janë dënuar me shëmtim, ata që janë falur po qe se nuk kanë të drejtat qytetare, si dhe ata që janë të burgosur, të falimentuar dhe të çmendur”. Pas një periudhe 2-vjeçare, në vitin 1923, Këshilli Kombëtar i hapi rrugë zgjedhjeve të reja.

Zgjedhjet e vitit 1923 dhe Lëvizja e Qershorit 1924

Më 27 dhjetor 1923, u mbajtën zgjedhjet e radhës. Partia e drejtuar nga F. Noli fitoi 35 vende, partia e A. Zogut 26 vende dhe Partia Popullore, pjesë e grupimit proqeveritar të Ahmet Zogut, e drejtuar nga ministri i Punëve të Brendshme Sejfi Vllamasi, fitoi 20 mandate, ndërsa Deputetët e pavarur kishin 14 vende. Kuvendi pati për synim hartimin dhe miratimin e Kushtetutës, por lufta politike mes kundërshtarëve ishte e madhe dhe kjo nuk u arrit. Kjo qeveri e 1923 u rrëzua pas Lëvizjes së Qershorit më 2 qershor të vitit 1924, kur qeveria e Fan Nolit me (jetëgjatësi qershor-dhjetor 1924) erdhi në pushtet dhe Ahmet Zogu u largua nga Shqipëria, duke mbetur në ilegalitet deri në dhjetor të vitit 1924.

1925-1939

Me rikthimin e Ahmet Zogut në pushtet, kemi periudhën e Republikës Shqiptare nga viti 1925 deri më 1928 dhe periudhën e Mbretërisë Shqiptare, 1928-1939. Parlamenti në periudhën e Republikës përbëhej nga një sistem dydhomësh, nga ku 57 deputetë të Dhomës së Deputetëve zgjidheshin direkt nga populli, po ashtu 2/3-ta e 18 senatorëve të Dhomës së Lartë, zgjidhej po nga populli. Parlamenti i asaj kohe karakterizohej nga mungesa e pluralizmit dhe për shkak të problemeve të sistemit zgjedhor, u ruajt një karakter përfaqësues fiktiv. E gjithë periudha e sundimit të Zogut qoftë si kryetar Republike, qoftë si mbret u karakterizua nga mungesa e partive politike. Nga pushtimi italian në vitin 1939 e deri në vitin 1944 në Shqipëri nuk u zhvilluan më zgjedhje parlamentare.

1945-1990

Zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese të pasluftës u zhvilluan më 2 dhjetor 1945. Për herë të parë në votim morën pjesë edhe gratë. Në Statutin e Republikës Popullore të Shqipërisë të vitit 1946, në kapitullin “Të drejtat dhe Detyrat e Shtetasve”, neni 14 theksohet: “Të gjithë shtetasit pa ndryshim seksi, kombësie, race, besimi shkalle kulturore ose banimi dhe që kanë mbushur moshën 18 vjet, kanë të drejtë të zgjedhin dhe të zgjidhen në të gjitha organet e pushtetit shtetëror”, në nenin 17 theksohet se “Gruaja është njësoj me burrin në çdo fushë të jetës private, politike dhe shoqërore”. Megjithatë, paçka kësaj teorie në dukje jodiktatoriale, përgjatë gjithë sistemit komunist, organizimi i zgjedhjeve ishte diçka krejt fiktive me një mungesë totale të pluralizmit në vend. Çdo katër vjet PPSH-ja zhvillonte kinse zgjedhje, ku padyshim fitues me 99.9% të votuesve ishte vetë ajo, pa pasur asnjë kundërshtar. Zërat ndryshe, ndëshkoheshin me internim, burgim e deri ekzekutim.

1991-2021

Pas gati 50 vitesh totalitarizëm, vetëm më 31 mars 1991 u shpallën zgjedhjet e para pluraliste politike parlamentare, me pjesëmarrje të lirë të partive të tjera veç asaj të PPSH-së. Megjithatë, ndonëse një ngjarje e shënuar e fillimit të demokracisë shqiptare, sërish këto zgjedhje u fituan nga PPSH-ja dhe vetëm në zgjedhjet e 22 marsit 1992, Partia Demokratike arriti të fitonte. Pas 1992, u zhvilluan zgjedhje përgjatë viteve 1996, 1997, 2001, 2005, 2009, 2013, 2017. Tashmë në Shqipëri zhvillohen për të dhjetën herë më 25 prill 2021 zgjedhjet parlamentare, që nga viti 1991.