Pa këmbënguljen e tyre, disa punonjës në Itali nuk do të ishin duke prodhuar qeramika me cilësi të lartë, të cilat vlerësohen aq shumë nga klientët në të gjithë botën.
Një fabrikë e vogël në rajonin e Umbrias, në qendër të Italisë duhet të kyçej dy vite më parë, kur pronari i saj vendosi të zhvendoset jashtë vendit për të gjetur fuqi punëtore më të lirë.
“Të gjithë sipërmarrësit mendojnë për përfitimet deri në qindarkën e fundit. Ata mendojnë se fuqia punëtore në Itali është e shtrenjtë. Ne kemi arritur t’i bëjmë njerëzit të kuptojnë që fuqia punëtore është e vlefshme, që duhet t’i përcillet klientit dhe të përfshihet në koston e objektit që po shitet”, – tha presidenti i fabrikës ‘Ceramiche NOI’, Marco Brozzi.
Njëmbëdhjetë punonjës vendosën të marrin në dorë fatet e tyre. Vetëm 10 ditë pasi u pushuan nga puna ata përdorën pagat për të themeluar një ndërmarrje për të blerë fabrikën e tyre
“Në fillim çdo gjë dukej e errët. Nuk mund të flija për tre muaj dhe djemtë ishin shumë të shqetësuar. Dua të them, bëhesh sipërmarrës, çka është diçka e këndshme të dëgjohet, por nuk e di se me çfarë përballesh, cilat janë risqet dhe angazhimet”, – u shpreh Brozzi.
“Krijimi i një kompanie dhe struktura e saj nga e para nuk është e lehtë. Ju duhet t’i bashkoni të gjithë njerëzit së bashku, por më pas ne pamë në sytë e njëri-tjetrit dhe kuptuam se çfarë ishim në të vërtetë, një familje e madhe dhe gjërat ishin më të lehta”, tha menaxheri i shitjeve të kompanisë, Lorenzo Giornelli.
Tani, biznesi po lulëzon. Klientët e vjetër nga SHBA-ja dhe klientët e rinj nga Evropa kanë detyruar sipërmarrësit e rinj të punësojnë edhe gjashtë punëtorë për të përmbushur porositë. Edhe ata do të jenë pjesë e ëndrrës së 11 miqve që thjesht nuk u dorëzuan në asnjë moment.