Aktualitet Historia prekëse e Anës: Si e braktisi i ati për të vijuar...

Historia prekëse e Anës: Si e braktisi i ati për të vijuar lidhjen jashtëmartesore

Një histori shumë prekëse u prezantua sot në rubrikën “Ka një mesazh për ty”, ku në qendër të saj ishte Ana. Ajo vjen nga qyteti i Tiranës, por familja e saj jeton në Durrës.

Ana është rritur pa baba, sepse ky i fundit nuk është interesuar asnjëherë për të bijën. 18 vite më parë jeta e saj mori një tjetër drejtim. Ishte vetëm 4 vjeç, kur prindërit e saj u ndanë. Gjithë dashurinë e përkujdesin e munguar, ajo e ka marrë nga gjyshi i saj.

“Babi kishte një lidhje jashtëmartesore, jetonte një jetë të dyfishtë, dy krahë njëkohësisht. Mami rrinte në shtëpi, punonte kujdesej për mua. Pasi linda, mami shkoi të më regjistronte në Gjendjen Civile, aty unë nuk mora dot mbiemrin e babait, por u detyrova të merrja mbiemrin e nënës. Ai kishte një fëmijë tjetër dy vite më të madh se unë, por ne nuk e dinim. Unë isha një foshnje e sapolindur dhe e kuptova kur isha 4 vjeçe kur nusja tjetër erdhi të jetonte me ne, bashkë me vëllain tim. Nga ajo ditë ne shkuam tek gjyshi dhe jetuam tek daja. Unë isha mbesa e vetme, sepse mami ishte vajza e madhe”, rrëfeu e prekur Ana.

Sot ajo ftoi në emision gjyshin, i cili e rriti dhe i ka qëndruar gjithmonë pranë, por i mbetet të kryejë një “mision” të fundit: T’i mbushë mendjen që të shkëputet nga Shqipëria dhe të shkojë në Greqi, aty ku jeton tashmë mbesa e tij.

Por gjyshin e pengojnë kecat. Po, e lexuat mirë. Ai rriste disa keca dhe nuk mund t’i linte për të shkuar në Greqi, edhe pse prej 4 vitesh mbesa e saj është përpjekur për dokumentet.

Ardit Gjebrea: Do shkosh të jetosh atje?

Isuf: Do shkoj. Si të thotë Ana do bëj.

Në fund në studion e programit “E Diela Shqiptare” sjellin kecat e Isufit dhe hapin një ankand për t’i shitur sa më shpejt. Një telefonatë mbërrin në studio dhe çmimi shkoi në 450 mijë lekë, por presin oferta të tjera më të larta për kecat e ekranit.

“Ankandi” i sotëm mesa duket i hapi rrugën plotësimit të dëshirës së Anës, që të jetojnë së bashku në Greqi.