Fotografia e dy pinguinëve të ve të cilët shihen duke ngushëlluar njëri-tjetrin në Australi është zgjedhur si foto fituese në Ocean Photography Awards të revistës Oceanographic. Fotoja është realizuar nga Tobias Baumgaertner në Melburn shkruan BBC.
Atij iu tha se dy pinguinët kishin humbur kohët e fundit partnerët e tyre dhe shpesh ata takoheshin për të ngushëlluar njëri-tjetrin.
St Kilda Pier në Melburn ka një koloni prej rreth 1,400 pinguinë “zanash”, specia më e vogël e pinguinit me një lartësi mesatare prej vetëm 33 cm. Kolonia monitorohet nga vullnetarët.
“Një vullnetar më tha se e bardha ishte një zonjë e moshuar që kishte humbur partnerin e saj dhe mashkulli në të djathtë po ashtu kishte humbur partneren e tij. Që atëherë ata takohen rregullisht, duke ngushëlluar njëri-tjetrin dhe duke qëndruar së bashku për orë të tëra duke parë dritat vezulluese të Melburnit,” shkroi Baumgaertner në Instagram.
Fotografi kaloi tre net me koloninë e pinguinëve për të shkrepur këtë foto. Fotografi ka treguar se ka qenë shumë e vështirë që të fotografonte pinguinët sepse ata lëviznin vazhdimisht.
“Por unë pata fatin dhe gjata një moment mjaft të bukur”, u shpreh ai.
“Kjo foto është një homazh për të gjithë ata që në këtë moment mund të qëndrojnë me personin që duan”, përfundoi fotografi.