Në adresën e saj të Instagramit Ortesa mori komplimentat e para nga një i ri. Ai kishte adresën Arnold-p9. Ditë pas dite e mitura filloi të flasë në rrjetet sociale, derisa personi në anën tjetër të kompjuterit fitoi jo vetëm zemrën e saj, por edhe besimin. Në vazhdën e komunikimit intensiv, vajza filloi të flasë edhe në telefon. Djali përtej telefonit quhej Florian P., i moshës 22 vjeç. Një ditë ata e lanë të takohen dhe prej kësaj dite gjithçka që dukej një histori dashurie e bukur, u mbyll me abuzim seksual.
Në dosjen me numër 6171 që Gazeta “Si” disponon ekskluzivisht, përshkruhet me detaje se si e mitura ra në grackën e Florian P. dhe Risil S., të dy bashkëmoshatarë. Njëri prej tyre u zbulua nga adresa e Instagramit dhe e Facebookut që 15-vjeçarja e lindur në Greqi dhe banuese në Tiranë, i tregoi policisë. I dyti, nga përshkrimi që ajo bëri: Mbante mend që abuzuesi kishte një tatuazh në krahë që lexonte “family”.
Siç shpjegon Prokuroria, që dorëzoi dosjen e të akuzuarve për marrëdhënie seksuale me të mitur, Floriani e kishte bindur vajzën për t’u takuar pasi i ka treguar për veten duke u prezantuar si Serxho Kane. Në muajin gusht 2019 Floriani që prezantohej si Serxhio, i dërgoi mesazh zanor “Do vij të të marr me makinë se mos bën ndonjë gabim dhe merr ndonjë tjetër me vete”. Ortesa ka shkuar në qendër të Tiranës ku më pas ka ardhur Floriani dhe sëbashku me të, edhe një person që prezantohet si Oris, por që nga hetimi u zbulua që quhet Risil S. Ata kanë pirë kafe dhe pas kësaj Floriani i ka propozuar të shkojnë në hotel. Prokuroria argumenton se e mitura ka pranuar pasi agresori dispononte foto intime, që vetë ajo ia kishte nisur në rrjetet sociale.
“Fillimisht vajza është abuzuar nga Floriani dhe më pas nga Risili”, shpjegon prokurorja e çështjes në gjykatë, e cila shton edhe rrëfimin e vajzës: “Pavarësisht se e pëlqeja Florianin, kreva marrëdhënie me të e ndikuar nga fakti që ai kishte fotografitë e mia. Unë u ndjeva keq që në dhomë ndërkohë ishte edhe një person tjetër, i cili fillimisht refuzoi”.
Vajza rrëfen për dy të rinjtë pa e ditur që ajo nuk u dinte as emrat. Florianin e përshkruan si Serxhio duke besuar se së paku ai i kishte thënë emrin.
“Serxhio më tha “çohu hiqe fustanin”, unë i thashë “jo”. Ai më kërcënoi që do të shpërndante fotot në rrjetet sociale. Ndërkohë Orisi (Risili) ishte ulur në karrige dhe po shikonte. Ai kreu marrëdhënie me mua dhe unë iu luta të mos e bënte pasi kisha dhimbje… Pastaj u çua dhe i kërkoi Orisit, shokut të tij, të vazhdonte. Mua më vinte turp nga prania e tij këtu, pasi unë doja vetëm Serxhion, por edhe ai më kërcënoi se nëse nuk pranoja , do më shpërndanin fotografitë”, ka sqaruar e mitura.
Vajza tregon se si e urdhëruan të çohej dhe të vishej dhe kur ajo e ka pyetur Serxhion se ku të shkonte ai është përgjigjur ”ec tek ndonjë kushërirë”. Dhe e mitura ashtu ka bërë, ka shkuar te një kushërirë, të cilës i ka treguar se ishte shumë e mërzitur. Prokuroria pohon në dosje se e vërteta ka dalë në shesh kur në shtëpi ka mbërritur xhaxhai i saj, i cili kur e ka pyetur, ajo ka shpërthyer në lotë. “Unë e doja Serxhion dhe nuk mendoja që mund ta bënte këtë gjë”, ka thënë 15-vjeçarja në polici.
Policia ka vendosur në dispozicion të hetimit rezultatet e këqyrjes së kamerave të sigurisë në hotel si dhe procesverbalet e këqyrjeve në rrjetet sociale. Policia ka pyetur edhe administratorin e hotelit në afërsi të Laprakës se përse nuk i kishte kërkuar dokument identifikimi vajzës përderisa ajo ishte e mitur. Por administratori S.K. është justifikuar se kishte krijuar bindjen që vajza që po hynte në hotel me dy djemtë, nuk ishte e mitur, por në moshë madhore. Madje ai shpjegon se i kishte kërkuar sportelistit të priste kupon tatimor, pasi ishte detyrim ligjor, por ai kishte harruar. Dy djemtë, njëri prej të cilëve u identifikua nga tatuazhi në dorë, ndërsa tjetri nga komunikimet në rrjetet sociale, do të përballen me drejtësinë për akuzën e përdhunimit./Gazeta Si