Histori Historiani: Si Zogu bleu një vilë 3 milionë dollarëshe në SHBA. U...

Historiani: Si Zogu bleu një vilë 3 milionë dollarëshe në SHBA. U largua me 160 kg ar nga Shqipëria

Historiani i njohur Mariglen Kasmi i ftuar në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në Dritare TV foli për dokumentin e publikuar nga Arkivi i Shtetit, në lidhje me sasinë e arit që mori Mbreti Zog kur u largua nga Shqipëria.

Zoti Kasmi tha se ky është një dokument që nuk mund t’i referohemi si të vërtetë, por duke bërë një llogari të shifrave të shifrave që shfaqen në letër, tha se vlera e arit të përmendur, përkthyer në ditët e sotme, arrin në 120 milionë dollarë.

“Unë kam bërë një llogari të përafërt të shifrave që përmenden në dokument, me vlerat e sotme. Janë shuma të majme. Një napolon flori kishte rreth 20 franga ar, dhe një frangë ari, nëse i referohemi prerjes më të madhe një-qindëshes, kishte 0.29 gramë ar në përbërje. Nëse i referohemi kësaj shume, del një shifër marramendëse. 250 mijë napolona ari janë jo pak. E përkthyer në shifra sot, janë 120 milionë dollarë.

Por ky është një dokument që për një profesionist nuk thotë asgjë. Sepse nuk të jep mundësinë e një informacioni të besueshëm që t’i referohesh. Ky dokument është njësoj si të dalë nga një zyrtar i sotëm dhe nesër të merret për referencë. Ne ende nuk e dimë se kush ishte ky person, çfarë përfaqësonte ai. Megjithatë ky dokument ngacmon një problem që edhe sot është i hapur. Por Arkiva duhet të jetë e kujdesshme kur nxjerr të tilla dokumente. Sepse dokumentet që publikohen duhet të kenë forcën e të vërtetës dhe të referencës. Pra të jetë e vërtetuar dhe e pakontestueshme”, u shpreh Kasmi.

Sa franga ari mori Zogu nga thesari i shtetit?

Historiani Marenglen Kasmi tregoi se sa monedha ari mori mbreti Ahmet Zogu nga thesari i shtetit para se të arratisej. Historiani thotë se Zogu mori 448,535 franga ari.

“Zogu mori nga thesari i shtetit 448,535 franga ari të ndara siç thotë drejtori i bankës në 13 strajca. Pra kaq gjeti kaq mori. Këtu i referohemi edhe një raporti të ministrit të financave të mohës, pra Kolë Thaçit, i cili thotë që në datën 6 prill mbreti e thërret edhe i thotë: Më bëj një raport për gjendjen e arit që kemi në thesar. Kjo është shuma që ishte në thesarin e shtetit në prag të pushtimit italian.

Kështu që pasi urdhëroi në 6 prill ministrin të bëjë raportin, një ditë më vonë, një toger i Zogut, bashkë me dy ushtarë të gardës dërgohen nga Zogu në Bankën e shtetit shqiptar ku drejtori i thesarit pra Kel Naraçi dhe arkëtari i përgjithshëm pra Ramadan Berberolli marrin në 13 strajca, thasë të vegjël dhe ia çojnë mbretit. Kjo referuar raportit zyrtar që ka bërë drejtori i bankës.

Sa i përket arsyes, ajo që është thënë mbasi të dorëzohej ari, siç u dorëzua, Këshilli i Ministrave duhej të nënshkruante për marrjen në dorëzim të arit. Berberolli priti me orë të tëra për të marre ketë dokument edhe asnjëherë nuk e mori”, tha historiani.

Si Zogu bleu një vilë 3 milionë dollarëshe në SHBA

Historiani Marenglen Kasmi tha se 160 kilogramët e arit që pati Zogu me vete kur u largua nga Shqipëria të përkthyera në dollarë bëjnë 12.3 milionë dollarë me kursin e atëhershëm. Disa vite pas arratisjes nga Shqipëria, thotë Kasmi në vitet ‘51-’52 Zogu bleu një vilë 3 milionë dollarëshe në SHBA.

“Këto 160 kg ar që mori Zogu kushtonin 12,3 milionë dollarë amerikanë. Pra kjo është një shumë e pranueshme edhe në logjikë të parave që ta ketë pasur. Nëse i referohemi mënyrës së jetesës së Zogut më pas, por edhe dokumentacioneve të tjera, del që vitet ‘51-‘52 Zogu bleu një vile 3 milionë dollarëshe në SHBA. Kur blen një vilë që ka këtë kosto sigurisht që të lë të mendosh që ka të paktën edhe njëherë kaq mënjanë për të jetuar. Kështu që 12.3 milionë dollarët e asaj kohë nuk janë pak. Nëse do t’i referoheshim kursit të sotëm do të ishin rreth 262.8 milionë dollarë”, tha Kasmi.

Zogu kishte pasuri të tijën

Historiani Marenglen Kasmi i ftuar tregoi se sa ar mori mbreti Ahmet Zogu nga Shqipëria para se të arratisej dhe sa lekë të vetat, kishte ai në bankë.

“Para se të largohej Zogu urdhëron edhe marrjen e parave që kishte depozituar në arkën e shtetit në llogari të tij. Bëhet fjalë 118.195 franga ari. Thesari i mbretit Zog në fakt ishte rreth 3 herë më shumë se thesari i shtetit.

Të gjitha këto shuma, pra paratë e shtetit, të arkës dhe të vetat dhe të gjitha bashkë ishin rreth 164 kilogramë ar.

Por ka dhe një pjesë tjetër, të pasurisë që ai kishte në Pallat, që është thuajse e panjohur. Para në formë bizhuterish, në shufra ari, pasi Zogu merrte që prej vitit 1925 dhurata të majme nga Italia.

Një napolon flori në këtë kohë ishte e barabartë me 20 franga ar, dhe nëse e llogarisim në napolona ari, janë rreth 27 mijë e 800 napolona ari që Zogu kishte me vete, nga dy burime, nga thesari i shtetit dhe të vetat. Nëse e llogarisim në dollarë 164 kilogramë ar kushtonin rreth 12.3 milionë dollarë amerikanë”, u shpreh zoti Kasmi.