Kryesore Historike për Shqipërinë: Valiev fiton medaljen e bronztë në Lojërat Olimpike

Historike për Shqipërinë: Valiev fiton medaljen e bronztë në Lojërat Olimpike

Shqipëria ka fituar medaljen e parë në Lojërat Olimpike. Mundësi Chermen Valiev, që përfaqësoi flamurin kuqezi në “Paris 2024”, ia doli të fitojë medaljen e bronztë, në kategorinë 74 kg.

25-vjeçari triumfoi në finalen e vendit të tretë ndaj Viktor Rassadin nga Taxhikistani.

Sportisti kuqezi ishte dominues gjatë gjithë kohës dhe ia doli të fitojë në fund me rezultatin 6-2.

Kjo është medalja e parë në histori për Shqipërinë në Lojërat Olimpike dhe vjen nga sporti i mundjes.

Valiev në fakt ishte afër medaljeve të dy vendeve të para, por në çerekfinale u eliminua nga Jamalov i Uzbekistanit me rezultatin 6-5.

Megjithatë, për shkak se ky i fundit siguroi finalen, iu hap rruga mundësit të Shqipërisë, për të luftuar për vendin e tretë. Valiev kaloi me sukses Kadzimahamedau nga Bjellorusia dhe më pas Rassadin nga Taxhikistani.

Chermen Akhsarbekovich Valiev ka lindur më 10 dhjetor 1998 në Osetinë e Veriut, në Rusi dhe nga ky vit përfaqëson Shqipërinë në gart ndërkombëtare. Për Rusinë, Valiev ka fituar një titull kampion bote dhe një Europian për moshat U23.

Valiev u kualifikua për të përfaqësuar Shqipërinë në Lojërat Olimpike Verore 2024 në Paris duke u renditur i treti në Turneun Olimpik Botëror të Kualifikimit.