Volejbollistja e ekipit kombëtar dhe njëkohësisht kapitenia e saj Erblira Bici është shpallur fituese e Kupës së Italisë me skuadrën e Igor Volley Novara.
Skuadra e Bicit mundi 3-2 në finale rivalet e Imoco Volley Conegliano, pas një ndeshje të dueluar fort në të pesta setet. Në këtë sukses dha kontributin e saj edhe Bici, volejbollistja më e mirë shqiptare e viteve të fundit.
Bici ishte zëvendësuese në këtë finale, por u aktivizua në disa raste, duke realizuar 2 pikë dhe duke lënë gjurmë në këtë triumf të skuadrës së saj. Kjo është hera e parë që një volejbolliste shqiptare arrin të korrë një sukses kaq të rëndësishëm në Itali, në një prej kampionateve më të forta në botë. Skuadra e Bicit, ku volejbollistja kuqezi u transferua këtë sezon, është ndër favoriteve edhe për fitimin e titullit kampion.