Mes viktimave të tërmetit, në Durrës e Thumanë të Krujës ka familje që janë shuar plotësisht ose kanë humbur pjesë të madhe të anëtarëve të familjes.
Në Durrës në lagjen 17, në zonën e ish-Kënetës nga goditjet e tërmetit të 26 nëntorit, nga shembja e godinës 4-katëshe, nën rrënoja humbën jetën pothuaj gjithë anëtarët e familjes Lala. Nga operacionet e kërkim shpëtimit u nxorën pa jetë Marjeta Lala me dy binjakët e saj të mitur Dionis dhe Dionisa Lala dhe djalin Emiljo Lala. Nga e njëjta familje, Ilir Lala, Griselda Lala 22 vjeç dhe Amelia Lala 8 vjeç dhe gjyshja Sadete Lala 80-vjeçare. Kanë mbijetuar 3 persona.
Kështu familja Reçi u shua tërësisht. Nën rrënojat e pallatit 7-katësh në lagjen 18 të Durrësit humbi jetën studentja 25-vjeçare e Mjekësisë Kristi Reçi, vëllai 21 vjeçar Klauz Reçi, nëna 49 vjeçe Dolora Reçi dhe babai 54 vjeçar Eduard Reçi.
Në të njëjtin pallat kanë humbur jetën, nënë e bijë, Diena Karanxha 30 vjeç dhe Esiela Karanxha 8 vjeç, si dhe nëna e piktores Rozeta Meçja 59 vjeç, ndërsa 4 vite më parë kishte humbur jetën nga një atak ne zemër edhe kryefamiljari.
Dy vëllezër nga Gjilani i Kosovës, që punonin në Durrës kanë humbur jetën në lagjen 13. Isah Abazi 29 vjeç dhe Shemsedin Abazi u varrosën këtë të enjte në Kosovë
Në Thumanë të Krujës goditjen më të madhe e ka marrë familja Cara që humbi 7 anëtarët e familjes. Erisa Cara 25 vjeç, Hasan Cara 18 vjeç, Almir Cara 29 vjeç bashkë me të fejuarën 20 vjeçare nga Korça Stela Zvergeci, Sadajana Hysa Cara 21 vjeç, Fatmira Cara 53 vjeç dhe Anthi Cara 72 vjeç.
Po në Thumanë kanë humbur jetën nën rrënoja tre anëtarët e familjes Greku: bashkëshortët Celike e Pëllumb Greku dhe djali i tyre 26 vjeçar, Saimir Greku që u nxor i gjallë nga rrënojat e pallatit të shembur, por humbi jetën më pas në spital.
Nipi dhe gjyshja Rolejd Vata 7 vjeç dhe Hajrie Vata 62 vjeç po në Thumanë si dhe babë e bijë, Drita Cakoni 15 vjeç dhe Kastriot Cakoni 58 vjeç, si dhe babë e bir, Klement Çupi 34 vjeç dhe Hajredin Çupi 66 vjeç./Abcnews