Një rast i rëndë i dhunës në familje u zbulua nga efektivët e policisë së Tiranës. Bëhet fjalë për zbardhjen e një ngjarjeje të ndodhur më 11 Mars në Kamzë, të raportuar fillimisht si aksidentale.
Një grua përfundoi në spital pas u dhunua dhe më pas u hodh nga kati i tretë i shtëpisë nga bashkëjetuesi i saj, 62-vjeçari Dilaver Idrizi. Me gjasë e frikësuar nga ajo që mund të pësonte nëse tregonte të vërtetën, ajo i tha policisë se kishte rënë aksidentalisht. Por, kjo duket se nuk i bindi efektivët të cilët arritën të zbardhin të vërtetën dhe arrestuan 62-vjeçarin.
“Shërbimet e Policisë, nisur nga dyshimet e krijuara mbi kallëzimin e një shtetaseje, për rënien e saj nga ballkoni i banesës, kanë vijuar veprimet hetimore të thelluara, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për të bërë të mundur zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Si rezultat i punës dhe veprimeve profesionale, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5 është bërë e mundur zbardhja e ngjarjes së ndodhur më datë 11.03.2022, për të cilën fillimisht, shtetasja V. H. ka kallëzuar se është rrëzuar aksidentalisht, nga kati i tretë i pallatit ku banon.
Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 5 bënë ndalimin me iniciativë të shtetasit: D. I., 62 vjeç, për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare” mbetur në tentativë. Ky shtetas dyshohet se më datë 11.03.2022, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëjetueses së tij dhe më pas e ka hedhur atë nga ballkoni i katit të tretë”, tha policia e Tiranës në një njoftim për mediat.