Partia Socialiste ka zhvilluar këtë të hënë mbledhjen e radhës me drejtuesit politikë të qarqeve. Taulant Balla në një prononcim të shkurtër për mediat bëri të ditur se pjesë e këtij takimi ishin edhe ministrat e qeverisë që sipas tij të adresohen më mirë problematikat e qytetarëve.
Balla u pyet edhe për vendimin e qeverisë së Holandës kundër hapjes së negociatave me qeverinë duke mos miratuar në këtë mënyrë mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.
Sipas Ballës, ky vendim lidhet me fushatat e brendshme politike të Holandës. Ai u shpreh se i vetmi vlerësim zyrtar për Shqipërinë është ai i Komisionit Europian, ku thuhet se Shqipëria i ka përmbushur kushtet.
Balla u shpreh optimist për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, ndërsa tha ky është objektiv edhe i presidencës gjermane.
“Presidenca gjermane e cila përfundon në 31 Dhjetor ka objektivat e veta mbajtjen e konferencave të para ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Sa i përket vlerësimit se i ka plotësuar Shqipëria detyrat e veta apo jo, vlerësimi i vetëm zyrtar është ai i KE-së, i cili paguhet nga taksapaguesit europianë për të bërë vlerësimin korrekt për vlerësimin e parakushteve që Shqipëria dhe Maqedonia kanë pasur në Mars. Komisioni Europian sikurse jeni në dijeni ka vlerësuar që Shqipëria i ka përmbushur parakushtet për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Nuk dua të hyj në polemika, kam pasur një videokonferencë me parlamentin holandez, specifikisht me komitetin për çështjet europiane ku nga kolegët holandezë kemi marrë vlerësimet për arritjen e disa parakushteve deri në momentin që flasim. Nëse hyjmë në çështje që lidhen jo me Shqipërinë, por siç ndodh gjithmonë në një vend europian që sa herë afrohen zgjedhjet, padyshim temat që lidhen me zgjerimin, unë do të thoja që vitin e ardhshëm në Mars janë zgjedhjet në Holandë, në Maj janë zgjedhjet rajonale në Francë, në Shtator kemi zgjedhje të përgjithshme në Gjermani.
Shpresoj që vendet e rëndësishme të BE-së nuk duhet që fushatat e tyre zgjedhore t’i lidhin me aspiratat për integrim të vendeve që kanë përmbushur kushtet për të kaluar në një fazë tjetër të procesi. Mbajtja e konferencës së parë ndërqeveritare është momenti zyrtar i fillimit të një procesi që ul për herë të parë qeverinë shqiptare me kolegjin e komisionerëve për fillimin e dialogut të nevojshëm dhe plotësimin e kuadrit negociues. Unë e kam thënë shpeshherë për nga natyra jam optimist, por kësaj radhe jam më optimist sepse në fund të fundit Shqipëria pjesën e detyrave e ka bërë. Pjesën që lidhet me kontekstet e vendeve anëtare unë nuk mund ta parashikoj dot”, tha Balla.