Bota Holanda nuk di si të dëbojë turistët nga lagjet “me drita të...

Holanda nuk di si të dëbojë turistët nga lagjet “me drita të kuqe”

Autoritetet holandeze po shqyrtojnë mundësinë që të ndalojnë shitjen e hashashit për turistët që vizitojnë ato që njihen si lagjet me “drita të kuqe” në Amsterdam. Ideja është propozuar nga krybashkiakja Femke Halesma, si një zgjidhje që do të reduktonte problemin e mbipopullimit me turistë të qytetit.

Qyteti ka prej pak vitesh problemin e fluksit të lartë të turistëve. Me 1.1 milionë banorë të përhershëm, Amsterdami tërheq mbi 17 milionë turistë në vit, ku pjesa më e madhe e tyre ndalojnë në lagjet Wallen dhe Singel, dy lagjet më të mëdha ku janë vendosur shtëpitë publike të qytetit.

Sipas përllogaritjeve të autoriteteve vendase, një pjesë e mirë e turistëve nuk kanë si qëllim parësor shtëpitë publike në lagjen me “Drita të kuqe”, por të përfitojnë nga ajo që njihet si “Gedoogbeledi”, ose “politika e tolerancës për hashashin”.

Pjesa më e madhe e turistëve janë britanikë. Autoritetet thonë se nëse atyre do t’u ndalohet blerja e hashashit, atëherë 34 për qind e tyre nuk do të vizitonin më qytetin. Në këtë përfundim ka mbërritur zyra e informacionit dhe statistikave në bashkinë e Amsterdamit.

42 për qind të tjerë thanë se nëse do t’u ndalohej hashashi do të riktheheshin për të vizituar qytetin më rrallë. Mes të anketuarve kishte edhe turistë kokëfortë, që thanë se do të gjenin një mënyrë për ta blerë hashashin përmes banorëve rezidentë nëse kjo do t’u ndalohej turistëve.

Përveç mbipopullimit të qytetit me turistë, kryebashkiakja Halesma synon gjithashtu që të zgjidhë paradoksin holandez të politikës së tolerancës ndaj hashashit. Baret mund të shesin lirisht cigaret dhe nënproduktet e tjera të kanabisit, por furnitorët e tyre janë të jashtëligjshëm, çka ka bërë që shpesh pas këtyre bareve të qëndrojë krimi i organizuar që i shfrytëzon mjediset edhe për tregtimin e drogërave më të forta dhe që ndalohen me ligj.

“Një ndarje e qartë mes drogërave të lehta dhe drogërave të forta është e nevojshme dhe emergjente, edhe sepse tregtia e drogërave të forta po lulëzon gjithnjë e më shumë”, thotë Halesma.

Veçmas kësaj nisme, Këshilli Bashkiak i Amsterdamit deklaroi se grupet e organizuara të turistëve në lagjet ku janë vendosur shtëpitë publike do të ndalohen prej datës 1 prill, ndërsa në zonat e tjera të qytetit do t’u kërkohet një leje e posaçme.

Këshilli reduktoi numrin e personave që mund të jenë pjesë e një guide turistike në vetëm 15 persona dhe u ndaloi qëndrimet në vende si ura të ngushta, para shtëpive, para hyrjeve të dyqaneve dhe restoranteve. Për guidat që shkelin këto rregulla do të aplikohet gjoba prej 190 eurosh.

“Grupet turistike me guidë nëpër lagje me drita të kuqe u shpallën të jashtëligjshme sepse ishte e turpshme dhe mungesë respekti trajtimi i punonjësve të seksit si atraksion turistik”, deklaroi zv.kryetari i Bashkisë, Victor Everhardt.

Më shumë se 115 guida me mesatarisht grupe prej 20 turistësh kalojnë çdo ditë në lagjet me “drita të kuqe” në Amsterdam. Më shumë se gjysma e banorëve dhe bizneseve vendase në qendër thonë se ndjehen të parehatshëm me turistët, ndërsa punonjëset e seksit ankohen për sjellje abuzuese dhe kryerjen e fotografive pa lejen e tyre.