Bota Holandë, kryeministri Rutte i thotë lamtumirë politikës

Holandë, kryeministri Rutte i thotë lamtumirë politikës

Kryeministri afatgjatë i Holandës, Mark Rutte, ka njoftuar se do të tërhiqet nga politika dhe nuk do të kandidojë në zgjedhjet e reja, të planifikuara pas rënies së qeverisë së koalicionit të tij.

Qeveria e Rutte ishte në detyrë që nga fillimi i vitit 2022.

Rutte, nga Partia Popullore për Liri dhe Demokraci (VVD) liberale konservatore, shërbeu si kryeministër për gati 13 vjet.

Koalicioni i tij katërpartiak u shpërbë të premten në mbrëmje pas një mosmarrëveshjeje për politikën e migracionit.

Çështja që çoi në shpërbërjen e qeverisë ishte kufizimi i bashkimit familjar për refugjatët qe ndodheshin tashmë në vend.​

Rutte deklaroi tërheqjen e tij nga politika në fillim të një debati parlamentar mbi situatën politike.

Ai tha se ishte një vendim personal.

“Ky debat duhet të jetë për vendin tonë,” tha ai para fillimit të seancës, gjatë së cilës opozita kishte planifikuar të paraqiste një mocion mosbesimi ndaj kryeministrit.

Data e zgjedhjeve të reja nuk është caktuar ende, por ka të ngjarë që ato të zhvillohen në nëntor.

Mbetet ende e paqartë se kush do të jetë favorit për të pasuar Rutte, qoftë në VVD-në e tij apo në një nga partitë e tjera.