Mëngjesi i së hënës nisi me një lajm të trishtë në radhët e politikës. Bashkim Fino, deputet i Partisë Socialiste dhe ish-kryeministër i vendit u nda nga jeta në moshën 59-vjeçare për shkak të Covid-19.
Homazhet për Finon do të mbahen sot në orën 11:00-16:00 në Pallatin e Kongreseve. Më pas, familjarët dhe miqtë do ta përcjellin për në baneën e fundit.
“Kryesia e Kuvendit të Shqipërisë njofton më hidhërim të thellë se sot në orët e para të mëngjesit u nda nga jeta deputeti Bashkim Fino. Kryesia e Kuvendit i shpreh ngushëllimet familjes dhe të afërmve dhe njofton se në nderim të deputetit Bashkim Fino, sot, më 29 Mars, nga ora 11:00-16:00, do të organizohen homazhe në Pallatin e Kongreseve. Përcjellja bëhet në orën 16:00”, thuhet në një njoftim të Kuvendit.
Fino ishte prekur nga Covid-19 prej 1 muaji, por gjendja e tij shëndetësore ishte përkeqësuar ditët e fundit.
Bashkim Fino ishte kryeministër i vendit nga 9 Marsi deri më 29 Qershor 1997. Ai ka mbajtur disa herë poste ministrore, ndërsa ushtronte detyrën e deputetit që prej vitit 1997.