Përcillet sot për në banesën e fundit efektivi i policisë së Forcave Shqiponja 28-vjeçari Novruz Cenalia.
Në hollin e Teatrit Bylis në Fier është vendosur arkmorti me trupin e pa jetë të efektivit të policisë ku do të kryhen homazhe nga familjarë, kolegë, qytetarë dhe autoritetet për t’i dhënë lamtumirën e fundit. Më pas, arkmorti me trupin e tij do të përcillet në banesën e fundit, në varrezat e fshatit Baltëz.
Efektivi i policisë, Novruz Cenalia, u vra dy ditë më parë në fshatin Baltëz, pas një konflikti të çastit me 23-vjeçarin Azgan Mërnica, i cili pas kryerjes së kësaj vrasje është në arrati.
Prej dy ditësh, forcat e policisë, forcat speciale RENEA, kanë vijuar kërkimet për gjetjen e autorit duke u shtrirë në disa qytete të jugut të vendit.