Liderët e partive politike në Kosovë kanë mbajtur homazhe në përkujtim të të rënëve në masakrën e Reçakut. I pranishëm në homazhe ishte edhe shefi i atëhershëm i Misionit Verifikues të OSBE-së, William Walker.
Njëzetegjashtë vjet më parë, ishte i pari që i tha botës që në Reçak po kryhet krim kundër njerëzimit. Pas homazheve në Kompleksin Memorial, ai tha se është i mahnitur nga numri i madh i qytetarëve që po bëjnë homazhe në këtë kompleks.
“Çdo vit, mbetem i mahnitur nga numri i njerëzve që vinë këtu nga e gjithë vendi. Dikur ishte kryesisht një ceremoni përkujtimore e organizuar nga Komuna e Shtimes, por tani ka njerëz nga e gjithë Kosova, dhe supozoj se ka edhe nga e gjithë bota. Andaj, ju falënderoj që po e mbuloni këtë [ngjarje], ju uroj të gjithëve një ditë shumë të lumtur dhe i uroj gjithë popullit të Kosovës një Vit të Ri të lumtur. Faleminderit shumë”.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi tha se institucionet duhet të zotohen për drejtësi. Pas homazheve në Kompleksin Memorial në Reçak, ai u shpreh se masakra në këtë fshat të Shtimes është ndër më të tmerrshmet në vend.
“Përkujtojmë një ndër masakrat më të tmerrshme të luftës tonë për liri, dhe në këtë ditë përkujtojmë të gjitha viktimat e gjenocidit serb në Kosovë. Ky është një moment për secilin prej nesh e në radhë të parë për institucionet dhe për klasën politike që edhe një herë të zotohen se asnjë prej nesh nuk duhet të ndjehemi rehat derisa të ketë drejtësi për secilën jetë të dhënë per lirinë e Kosovës”, u shpreh Krasniqi.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se e vërteta e Reçakut është e pandryshueshme. Ai ka bërë homazhe pranë varreve në Kompleksin Memorial në Reçak, për çka tha se duhet të ketë drejtësi.
“E para që na duhet ta themi është se duam drejtësi, diçka që na takon me të drejtë për të kërkuar. Ende nuk ka drejtësi për Reçakun dhe për shumë masakra në Kosovë. Është absurde kjo gjendje qe të mos ketë drejtësi dhe të mos nxirren para gjyqit ata qe i kanë kryer këto krime. I përjetshëm kujtimi për martirët e Reçakut, e vërteta e Reçakut dhe Kosovës është e pandryshueshme përjetësisht, liria ka ardhur falë gjakut dhe sakrificës, gjithsesi edhe falë ndihmës së aleatëve tanë, NATO-s prirë nga Amerika”, tha ai.
Mëngjesin e hershëm të 15 janarit 1999, u vranë mizorisht fëmijë, të rritur e pleq, në mesin e tyre edhe një grua e moshuar, trupi i së cilës ende nuk është gjetur.
Ngjarja e rëndë në Reçak nxiti reagimin e ndërkombëtarëve ku NATO vendosi të sulmoi caqet ushtarake policore serbe – bombardime këto të zgjatën 78 ditë. Fundi i tyre u shënua më 10 qershor 1999 kur edhe u miratua Rezoluta 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.