Kryeministri Edi Rama mori pjesë në homazhet e zhvilluara në Pallatin e Kongreseve për nder të nëntetares Zarife Muharrem Hasanaj, që ra në krye të detyrës gjatë misionit të Forcave të Armatosur në Letoni.
Shefi i qeverisë shqiptare shprehu ngushëllimet e thella për të ndjerën, duke thënë se ne duhet ta kujtojmë atë për përpikmërinë që e karakterizonte.
“Është e vështirë të gjej fjalët për ushtaraken, të ndjerën Zarife Hasanaj, këtu në sytë e prindërve të saj që në vend se me fustanin e nusërisë në pragun e derës, në krahë të dhëndrit po e përcjellin vajzën e tyre mbështjellë me flamurin kombëtar në krah të shokëve të saj të FARSH; në praninë e 2 motrave, vëllait të saj, pranë prindërve e rrethit familjar ndiejnë boshllëkun e pangushëllueshëm; në praninë e shokëve dhe shoqeve të saj lidhur në besën e atij flamuri që na jep nderin dhe emrin shqiptar për të cilin FARSH është betuar të sakrifikojë edhe jetën në mbrojtje të atdheut dhe amanetit që atdheu e ka të shkruar në pëlhurën kuq e zi ku është mbështjellë trupi i dëshmores më të re të Republikës.
Detyra e kërkon që sidoqoftë fjalët të gjenden dhe të thuhen dhe përulësisht i shpreh ngushëllimet më të ndjera si kryeministër i Shqipërisë, si qytetar i kësaj republike dhe si prind e vëlla i prindërve, motrave, vëllait dhe gjithë të afërmve të vajzës e cila tanimë i përket të gjithë atyre që ikën dhe do të vijnë në këtë botë me gjakun dhe emrin shqiptar. Vajza e mbështjellë me flamurin e atdheut është sot mishërimi tronditës i të vërtetës të besnikërisë ndaj atdheut që e kanë krijuar dhe e krijojnë përditë ne kryerjen e misionit të saj qenien e patjetërsueshme e pazëvendësueshme të Forcave të Armatosur të Republikës. Kur pyeta se kush ishte Zarife Hasanaj, më thanë se ajo ishte e përpiktë në detyrë. Përgjigjej me përpikmëri, reagonte me përpikmëri dhe kërkonte gjithnjë përpikmërinë. Kjo është e para vajzë në historinë tonë të Forcave te Armatosura që ndahet nga jeta në krye të detyrës. Hasanaj sakrifikoi jetën në mbrojte të atdheut. S’na mbet gjë tjetër, përveç se t’i japim lamtumirën dhe ta kujtojmë gjithmonë”, u shpreh kryeministri.