Një specie e re e paraardhësve të njeriut është zbuluar se ka jetuar në Afrikë 500 mijë vjet më parë. Homo bodoensis ka jetuar në epokën e Pleistocenit të Mesëm, dhe, sipas shkencëtarëve, ka qenë paraardhës i drejtpërdrejtë i njerëzve modernë. Emri bodoensis rrjedh nga një kafkë e gjetur në Bodo D’ar në luginën e lumit Awash të Etiopisë.
Shkencëtarët thanë se epoka është e rëndësishme sepse përkon me shfaqjen e homo sapiensëve në Afrikë dhe Neandertalëve, të njohur si Homo neanderthalensis, në Europë.
Megjithatë, disa paleoantropologë thonë se ka paqartësi në këtë mes, pasi evolucioni njerëzor gjatë kësaj epoke është kuptuar keq.
“Të flasësh për evolucionin njerëzor gjatë kësaj periudhe kohore u bë e pamundur për shkak të mungesës së terminologjisë së duhur që pranon variacionet gjeografike njerëzore”, thotë dr Mirjana Roksandic, autore e studimit dhe profesoreshë në Universitetin Winnipeg në Kanada.
Sipas klasifikimit të ri, termi Homo bodoensis do të përdoret për shumicën e njerëzve të Pleistocenit të Mesëm nga Afrika dhe disa nga Europa Juglindore, ndërsa shumë nga kjo e fundit do të riklasifikohen si Neandertalë.
Christopher Bae, nga departamenti i antropologjisë në Universitetin e Hauait në Manoa dhe një nga bashkautorët e studimit, tha se prezantimi i Homo bodoensis synon “prerjen e nyjës gordiane dhe na lejon të komunikojmë qartë për këtë periudhë të rëndësishme në evolucionin njerëzor”.
“Emërtimi i një specie të re është një punë e madhe, pasi Komisioni Ndërkombëtar për Nomenklaturën Zoologjike lejon ndryshimin e emrit vetëm sipas rregullave të përcaktuara rreptësisht. Ne kemi besim se ky emërtim do të qëndrojë për një kohë të gjatë”.
Gjetjet janë publikuar në Evolutionary Anthropology Issues News and Reviews.
Në gusht, “Guardian” raportoi se arkeologët zbuluan ADN-në e lashtë në mbetjet e një gruaje të vdekur 7200 vjet më parë në Indonezi, një zbulim që sfidoi atë që dihej më parë për migrimin e njerëzve të hershëm.
Eshtrat, që i përkasin një adoleshenteje me nofkën Bessé, u zbuluan në shpellën Leang Panninge në ishullin indonezian të Sulawesi. Gërmimet nisën në vitin 2015.
Konkluzionet e botuara në revistën “Nature”, besohet se lidhen me herën e parë të zbulimit të ADN-së së lashtë njerëzore në Wallacea, një varg i madh ishujsh dhe atolesh në oqean midis Azisë kontinentale dhe Australisë.
ADN-ja u nxor nga pjesa brenda kafkës, ku qëndron veshi i brendshëm. Studiuesit thanë se ADN-ja e paprekur ishte një gjetje e rrallë.