Në Hong Kong, kompania që zotëron gazetën pro-demokraci Apple Daily njoftoi të mërkurën se do të ndalë botimin e saj këtë javë.
Kompania Next Digital është një ndër pronarët më të mëdhenj të grupeve mediatike në Hong Kong. Ajo nxori të mërkurën një deklaratë për shtyp ku njofton se botimi i gazetës në shtyp dhe në formë dixhitale nuk do të vazhdojë përtej 26 qershorit, duke shtuar se “rrethanat aktuale në Hong Kong” u bënë shkak për këtë vendim. Grupe mediatike lokale njoftuan se pritet që gazeta Apple Daily të nxjerrë numrin e fundit të enjten.
Apple Daily dhe botuesi i saj 73-vjeçar, Jimmy Lai i cili themeloi dhe zotëron kompaninë Next Digital, kanë qenë në shënjestër të autoriteteve të Hong Kongut që kur Kina vuri në zbatim ligjin e ashpër të sigurisë kombëtare vjet në qershor në përgjigje të protestave masive anti-qeveritare të 2019-ës.
Zyrat e gazetës u bastisën vjet në gusht pasi zoti Lai u arrestua nën dyshimet për komplot me forca të huaja.
Vendimi për të mbyllur gazetën Apple Daily merret një javë pasi mbi 500 policë bastisën zyrat e gazetës dhe arrestuan kryeredaktorin Ryan Law dhe katër drejtues të tjerë të gazetës dhe kompanisë, Next Digital. Autoritetet më pas ngrinë zotërime me vlerë 2.3 milionë dollarë, duke e bërë të pamundur që kompania të paguante punonjësit.
Shefi ekzekutiv Cheung Kim-hung është akuzuar për komplot me një vend të huaj dhe nuk i është dhënë e drejta e lirimit me kusht në pritje të gjykimit.
Autoritetet në Hong Kong kanë cituar dhjetëra artikuj të publikuar nga Apple Daily për përmbajtje që ata thonë se shkel ligjin e sigurisë, në bazë të të cilit shënjestrohet kushdo që dyshohet për terrorizëm, separatizëm, kërcënim ndaj shtetit apo bashkëpunim të fshehtë me forca të huaja.
Njoftimet nga Hong Kongu thonë se një tjetër punonjës i gazetës Apple Daily u arrestua të mërkurën. Punonjësi identifikohet si një ndër autorët kryesorë të artikujve redaksionalë dhe opinion.
Policia e Hong Kongut nxori një raport ku thotë se një 55-vjeçar u arrestua nën dyshimet për komplot me një vend të huaj apo forca të huaja.
Zoti Lai aktualisht po vuan një dënim me 14 muaj burgim për pjesëmarrje në tubime të paatorizuara në 2019. Zotërimet e tij në kompaninë Next Digital u ngrinë nga qeveria në maj.
Njoftimi për mbylljen e gazetës Apple Daily vjen në një kohë kur 24-vjeçari nga Hong Kongu Tong Ying-kit, u bë i pandehuri i parë që del në gjyq nën akuza të ngritura në bazë të ligjit të ri për sigurinë kombëtare.
Zoti Tong akuzohet për terrorizëm dhe nxitje të lëvizjes për pavarësi pasi kishte vënë në motoçikletën e tij një flamur ku shkruhej “Liri për Hong Kongun, Revolucioni i epokës sonë” – një parullë që mori popullaritet gjatë protestave masive të 2019 që u pasuan me miratimin e ligjit për sigurinë kombëtare. Nëse shpallet fajtor, ai mund të dënohet me burgim të përjetshëm./VOA