Ministri i drejtësisë Ulsi Manja ka treguar arritjet që janë bërë në vitin 2022.
Ai tha se gjatë inspektimeve janë hequr 10 licenca noterësh, ndërkohë janë pezulluar 7 të tjera.
Në një dalje për mediat ai po ashtu bërë me dije se në përmbarimin privat janë bërë 15 inspektime ku janë hequr 5 licenca dhe 1 është pezulluar.
“Me ndryshimet e reja të noterisë dhe sistemi noterial i është nënshtruar një proces filtrimi të gjithë noterëve që janë në sistem. Janë vendosur kritere shumë strikte për pranimin në këtë profesion.
Për 2022 janë 36 inspektime të realizuara të cilat janë finalizuar me 10 heqje licencash, 7 pezullime të tjera dhe janë 6 masa të tjera administrative. Janë dhe katër inspektime të tjera që janë në proces hetimi. Sa i përket përmbarimit priva, kemi 15 inspektime që janë finalizuar me 5 heqje licencash të përmbaruesve, 1 është pezullim dhe 7 të tjera janë në proces.
Kemi si objektiv të miratojmë ligjin për përmbarimin gjyqësor shtetëror”, theksoi Manja.
Sipas Manjës, një nga arritjes kryesore të Ministrisë së Drejtësisë ishte miratimi i Hartës së re Gjyqësore, ndërsa prioritet, sipas tij, mbetet zbatimi i mëtejshëm i saj gjatë këtij viti ku sapo kemi hyrë.
Një tjetër çështje me rëndësi, sipas Manjës, është edhe procesi i Vetingut dhe përmbyllja e tij me sukses.
Po ashtu, Manja përmendi edhe rritjen e kuotave të kandidatëve për në Shkollën e Magjistraturës.
Prioritet tjetër i rëndësishëm për vitin 2023, sipas ministrit Manja, është edhe lehtësimi i stokut të dosjeve në Gjykatën e Lartë.