Në seancën dëgjimore te Komisioni i Sigurisë këtë të hënë, ministri i Brendshëm Ervin Hoxha foli për sigurinë në vend dhe jo vetëm. Sipas tij, edhe ky sezon veror nuk ka shënuar asnjë ngjarje kriminale me pushues të huaj.
“Shqipëria vijon me trendin rritës të turizmit, është tejkaluar shifra e 10 milionë turistëve. Për të dytin vit radhazi kemi pasur një sezon me 0 ngjarje kriminale me pushues të huaj. Numri i automjeteve që kanë hyrë dhe dalë nga Shqipëria kapi shifrën 7.2 milionë dhe numri i jetëve të humbura nga aksidentet është ulur me 17% ose ndryshe 21 jetë të shpëtuara më shumë se vitin e kaluar.”
Është rritur numri i të arrestuarve përgjatë këtij viti.
“Në periudhën Janar-Gusht, nga të kërkuarit kombëtar janë arrestuar 209 persona më shumë se vitin e shkuar, ose 17% më shumë. Në kërkim ndërkombëtar 61 në pranga ose 43% më shumë se në vitin 2023. Është shtuar bashkëpunimi me policitë e shteteve partnere, Interpol dhe Europol. 81 operacione policore me homologë të vendeve të BE dhe më gjerë.”
Hoxha u ndal edhe te përzgjedhja e Kreut të ri të Policisë së Shtetit.
“Përzgjedhja e Drejtorit të ri të Policisë, dua të bëj një korrigjim. Ne nuk kemi kupolë në Polici, kemi një strukturë të mirëorganizuar në zbatim të ligjit dhe Kushtetutës. Ligji i ri i hap rrugë përzgjedhjes nëpërmjet konkurrimit dhe meritokracisë, në vijim të këtij ligji, ministri i Brendshëm shpalli thirrjen për aplikim. Në përfundim të afatit janë paraqitur 15 aplikantë. 10 ditë nga data e dorëzimit të dokumentacionit, komisioni bën vlerësimin. Më pas i bëhet propozimi Kryeministrit. Propozimi shoqërohet me relacion si dhe arsyet e propozimit. Më pas e miraton Këshilli i Ministrave.”