Gazetari investigativ Artan Hoxha zbuloi se policia përdori forcë gjatë ndërhyrjes në banesën e vjehrrit të Klement Balilit.
Hoxha pohoi se policia e Delvinës, në bashkëpunim me atë të Gjirokastrës rreth orës 17:15 zbarkoi në banesën e vjehrrit të Balilit, Avni Veizit, pasi kishte informacione se aty fshihej Klementi, i cilësuar nga mediat greke si Eksobari i Ballkanit. Mes të tjerash, Hoxha tha se policia kishte përdorur forcë gjatë aksionit, pasi kishte thyer derën e jashtme dhe disa të brendshme.
“Aksioni nisi sot pasdite, sapo ra errësira, rreth orës 17:15 minuta. Forcat e policisë lokale dhe ato të Gjirokastrës rrethuan zonën, duke krijuar edhe pasiguri tek banorët. Kishte një numër të madh policësh. Në banesë nuk u gjet asnjë person. Vjehrri dhe vjehrra, e personit më të kërkuar nga policia shqiptare nuk ishin. Informacioni paraprak ka qenë se në këtë banesë mund të strehohej Balili, edhe pse vjehrri dhe vjehrra qëndrojnë tek vajza e tyre që ka ngelur e vetme. Policia ka përdorur forcë, ka thyer derën e jashtëm, ka ushtruar kontroll të befasishëm. Janë thyer disa dyert të brendshme. Nuk është gjetur personi që kërkohej nga policia. Nga komshinjtë është vënë në dijeni pronari i banesës. Ata kanë ardhur aty dhe kanë kërkuar një vendim të gjykatës. Ai pretendon se i kanë vjedhur sende me vlerë. Ky vendim vjen pas shkrimit të medias gjermane ‘Stern’, pasi u tha se policia lokale nuk ndërhynte dot. Ndaj me ardhjen drejtorit të ri po jepet tjetër mesazh”, tha Hoxha në lidhje direkte me “News 24”.