Gazetarja e njohur nga Shkodra, Anila Dushi ka humbur betejën me koronavirusin, Ajo ka ndërruar jetë në moshën 54-vjeçare. Lajmin për vdekjen e saj e kanë bërë të ditur në rrjetet sociale kolegët e saj.
Një ndër ta është edhe gazetari Ardi Hoti, i cili përmes një mesazhi në Facebook shprehte keqardhjen për ndarjen nga jeta të koleges së tij.
“Covidi na mori një nga gazetaret që përveç një kolege e mike e mirë u kthye në një “nënë” të dytë me këshillat që i jepte çdo kolegu gazetar. Pothuajse i gjithë brezi i ri gazetarëve në Shkodër u rrit në kompjuterin tënd. Në atë kompjuter gjenden fotot e gazetarëve që kur ishin “fëmijë” e derisa u bënë me fëmijë. E vështirë për këdo t’i thotë lamtumirë Anila Dushit”.
Pak ditë më parë vetë gazetarja, shkruante në Facebook, se lufta me koronavirusi ishte e tmerrshme.
“Kam besuar që në fillim se Covid 19 është një luftë botërore. Kam dëgjuar mjaft nga ata që e kanë kaluar. Por qenka tmerr”, shkruante Anila Dushi një javë më parë në Facebook.