Aktualitet Humb jetën nga koronavirusi pedagogia e Ekonomikut

Humb jetën nga koronavirusi pedagogia e Ekonomikut

Irena Bogdani, pedagoge në Fakultetin e Ekonomisë, Universiteti i Tiranës ka humbur jetën si pasojë e koronavirusit. Lajmi është bërë i ditur edhe në faqen zyrtare të UT në Facebook.

Në postim shkruhet se “me hidhërim të thellë mësuam ndarjen nga jeta në mënyrë të beftë kolegia jonë e shtrenjtë, Prof. Asoc. Irena Bogdani.

Ashtu siç jetoi dhe punoi me fisnikëri, urtësi dhe thjeshtësi, ashtu edhe u nda nga kjo jetë pa përzier askënd në vuajtjen e saj. Në këto ditë të trishta për të gjithë ata që e deshën, e vlerësuan dhe mësuan prej saj, ne duam t’iu shprehim ngushëllimet me të sinqerta familjarëve, miqve, kolegëve e studentëve të profesoreshë Irenës, si dhe të kujtojmë e nderojmë jetën e saj, arritjet, punën, këmbënguljen e pafjalë dhe drejtësinë e pashoqe që e karakterizonte.

Kolegët, studentët dhe miqtë e saj do ta kujtojnë gjithmonë si profesioniste të shkëlqyer, bashkëpunëtore korrekte, model qytetarie në marrëdhëniet njerëzore. Dritë pastë shpirti i saj!”.

Edhe ministrja e Arsimit, Evis Kushi ka reaguar e trishtuar për vdekjen e pedagoges.

“Për profesoreshë Irena Bogdanin në Universitetin e Tiranës ruaj mbresat më të mira nga shumë konferenca shkencore ku kemi marrë pjesë së bashku. Ajo ishte një akademike e profesioniste shumë e mirë dhe gëzonte respekt tek të gjithë kolegët e studentët.

Shumë e pikëlluar për humbjen e saj të parakohshme nga virusi i pabesë dhe shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjarët dhe gjithë të afërmit e saj. U prehsh në paqe profesoreshë Irena”, shkruan Kushi në rrjetet sociale.