Një turist bullgar humbi jetën këtë të mërkurë në malin e Jezercës.
Ai ishte pjesë një grupi turistësh të huaj të cilët u aksidentuan gjatë kohës që përpiqeshin të ngjisnin malin.
Turisti gjeti vdekjen pasi ra në humnerë. Të parët që mbërritën në vendin e ngjarjes ishin banorë të zonës dhe policia.
Atyre iu bashkua edhe një helikopter i Forcave të Armatosura, që bëri të mundur gjetjen e trupit të pajetë, pas disa orë kërkimesh.
“Pas marrjes së njoftimit, të gjitha strukturat operacionale të Mbrojtjes Civile, në nivel vendor dhe qendror janë angazhuar menjëherë. Helikopteri Cougar i Forcave të Armatosura është ngritur në ajër, duke marrë me vete ekipin mjekësor dhe ekipin e kërkim-shpëtimi malor. Kërkimet filluan nga ajri për të zbuluar ndonjë shenjë të personit të humbur. Në të njëjtën kohë, ekipi i kërkimit-shpëtimit malor u la në afërsi të vendit për të vazhduar kërkimet nga toka.
Përpjekjet intensive dhe koordinimi i strukturave vazhduan për disa orë, derisa u arrit që të gjendet trupi i pajetë i personit në nevojë”, thuhet në një njoftim të Mbrojtjes Civile.
Kjo e fundit ka edhe një apel për turistët të cilët vizitojnë zona të konsideruara të rrezikshme dhe të pa shkelura.
“Kujdes! Në zonat me rrezikshmëri të lartë, dhe ne shumë raste të pashkelura, është e rëndësishme që turistët të jenë të kujdesshëm dhe të ndjekin udhëzimet e dhëna nga guidat e specializuara. Siguria e tyre dhe e të tjerëve varet nga respektimi i këtyre udhëzimeve dhe informacioneve të rëndësishme për këto aktivitete sportive”, thuhet në njoftimin e Mbrojtjes Civile.
Ngjitja në majën e Jezercës nga Thethi kërkon një përgatitje shumë të mirë fizike dhe shkon deri në 8 orë. Terreni është shumë i vështirë dhe kërkon një njohje mjaft të mirë të zonës.
Një pjesë e madhe e turistëve të huaj preferojnë që të ngjiten pa guida lokale.